Maqedoni

Negociatat për RMV-në dhe Shqipërinë, Reuters: Franca kërkon shtyrje, nuk janë gati

11.10.2019 18:10

Franca jep sinjalet e para për mosdhënien e datës për bisedime....

Burimet diplomatike franceze për Agjencinë e lajmeve Reuteres, kanë thënë se Parisi ua bëri të qartë anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian këtë javë se ishte kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me dy vendet. Franca pretendon se të dyja vendet që shpresojnë vendim duhet të vazhdojnë me reforma të mëtejshme përpara se t`i jepet OK-i bisedimeve të anëtarësimit.
 
“Ata nuk janë ende gati. Ne po u kërkojmë që të bëjnë përpjekje shtesë. Negociatat nuk mund të hapen në tetor 2019. Do të duhet të rivlerësojmë situatën diku në vitin 2020. BE-ja përballet me shumë sfida e nuk mund të lejojë të hyjnë edhe dy shtete të tjera nga Ballkani, një rajon ende i shënjuar nga luftërat e viteve 1990 dhe që ka akoma punë për të bërë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit" - thonë burimet zyrtare franceze për Reuters.
 
Zaev: Nuk besoj që Franca do të jetë pengesë për datën
 
Kryeministri Zaev nuk ka dashur të përshpejtojë me konkluzione, megjithatë thotë se respekton mendimin individual të çdo shteti. Gjithsesi, kreu i ekzekutivit nuk beson se Parisi do ta bllokojë procesin. 
 
“Franca është mik i madh i RMV-së. Informatat na tregojnë se po  kërkohet metodologji e cila do t’i përshpejtonte bisedimet, por mundet edhe t’i kthejë prapa nëse shtetet nuk tregojnë sukses. Edhe ky pozicion është korrekt, sepse ne nuk duam vetëm të negociojmë, të hapim dhe mbyllim kapitujt, por duam të transformohemi për të mirë dhe të bëhemi një në të gjitha aspektet e mundshme, vend dhe popull me Evropën dhe popujt evropianë. E besoj nevojën e Francës dhe vendeve tjera të ndërtojnë një metodologji të atillë, sidoqoftë nuk do të jetë pengesë për sjelljen e vendimit për fillimin e bisedimeve me BE-në”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Timonie: RMV e ka vendin me ne, në Bashkimin Europian
 
Ambasadori francez, Kristian Timonie, kërkon që të mos shpejtohet me konstatime para fjalës përfundimtare më 15 tetor. 
 
“Do të shohim për pak ditë dhe shpresoj së shpejti do dihet. Shpresoj se diskutimi mes evropianeve do të udhëhiqet në suaza të kompromisit dhe asnjëherë nuk do të doja ta parashikoja rezultatin. Nëse ka diçka që na bashkon ne përfaqësuesit europianë është që Maqedonia e Veriut, pas të gjitha përpjekjeve të kaluara dhe atyre që e presin, vendin e ka me ne,  në BE. Mund t’ju them se jemi të motivuar për bashkëpunim”,- tha  ambasadori i Francës, Kristian Timonie.
 
Burime zyrtare të shteteve anëtare bëjnë të ditur ndërkohë se propozimi francez për të reformuar procesin e zgjerimit dhe për të shtyrë vendimmarrjen për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mars të 2020, po has në kundërshtime. Ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Europian janë mbledhur për të diskutuar edhe për këtë çështje. Një tjetër takim i ambasadorëve do të zhvillohet të hënën, një ditë para marrjes së vendimit nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian në Luksemburg.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU