Maqedoni
Shehut nuk i lejohet vizita nga fëmijët, ankesa pritet të shqyrtohet javën që vjen
11.10.2019 18:17
Një ditë pasi Naser Raufi - avokati mbrojtës i të dënuarit, Dem Shehu,- alarmoi se të dënuarit tashmë katër vite e gjysmë nuk i lejohet të shohë fëmijët e tij...

Një ditë pasi Naser Raufi - avokati mbrojtës i të dënuarit, Dem Shehu,- alarmoi se të dënuarit tashmë katër vite e gjysmë nuk i lejohet të shohë fëmijët e tij, drejtori i burgut të Shutkës, Esat Rahiq, për TVM 2 paralajmëroi se nga e hëna pritet vendim rreth kësaj çështje. Sipas tij, të gjitha kompetencat për të vendosur rreth kësaj çështje nuk i ka institucioni që ai drejton, por Gjykata Penale në Shkup, gjegjësisht gjykatësi i lëndës. Ai tha se kjo problematikë është ngritur edhe nga ana e Avokatit të Popullit, i cili do të adresojë kërkesë në Gjykatën Penale.
TVM 2 kontaktoi edhe kryetarin e Gjykatës Penale, Ivan Xholev, i cili na tha se nuk ka njohuri se për çfarë bëhet fjalë dhe se të dhënat e sakta duhet t’i posedojë gjykatësi që ka drejtuar lëndën. Ai tha se te gjitha përgjigjet do t’i marrin nga dita e hënë, kur dhe do të shqyrtojnë se a ka kërkesë dhe se për çfarë bëhet fjalë, nëse problemi qëndron tek gjykata apo në burgun e Shutkës.
Ndryshe, Demë Shehu, me prejardhje nga Juniku i Kosovës, nga Gjykata Penale e Shkupit, me 2 nëntor të vitit 2017, u dënua me burg të përjashtëm nën akuzën për “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste”, vendimin të cilin së fundmi e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit. Raufi të enjten deklaroi se edhe të burgosurit e tjerë në rastin “Lagjja e trimave” kanë ankesa për kushtet në burg.
FLORIJE BELULI KAMBERI
