Maqedoni

Osmani: Vendimi për RMV-në, inkurajim për rajonin

11.10.2019 18:49

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, nga Italia ku po qëndron në një vizitë pune...

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, nga Italia ku po qëndron në një vizitë pune, tha se takimi i Këshillit të BE-së javën e ardhshme është me rëndësi thelbësore për RMV-në, si vend i cili i plotëson të gjitha parakushtet dhe obligimet e sugjeruara. Sipas Osmanit, vendi me meritë pret fillimin e negociatave me BE-në këtë vit. Gjatë takimit me homologun e tij italian, Vinçenco Amendola, Osmani potencoi se fillimi i negociatave aderuese do të ishte inkurajim edhe për gjithë rajonin në realizimin e perspektivave evropiane.
 
“Pa mirënjohje përkatëse për progresin e Maqedonisë së Veriut, jo vetëm që do të rrënohet kredibiliteti i BE-së në rajon, por në përgjithësi do të rrezikohet rrjedha e mëtejme e procesit për zgjerim dhe do të humbet fuqia pozitive transformuese e perspektivës evropiane”,- theksoi Osmani.
 
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme të Italisë dhe mori bindje të fuqishme nga ana e ministrit Amendola se Italia mbetet e përkushtuar në integrimet evropiane të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, me mbështetje të fuqishme për fillim të negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut në prag të Samitit të BE-së javën e ardhshme.