Maqedoni

Dimitrov në Bruksel, Shkupi dhe Tirana në pritje të vendimit

14.10.2019 10:31

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, prej sot e deri më 17 tetor do të qëndrojë për vizitë pune në Bruksel...

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, prej sot e deri më 17 tetor do të qëndrojë për vizitë pune në Bruksel, kur pritet Këshilli i BE-së dhe Këshilli Europian, të sjellin vendim për datë për fillim të negociatave inkuadruese të vendit me BE-në. Vizita shihet si përpjekje e fundit për të bindur vendet skeptike të BE-së se, Maqedonia e Veriut është gati për hapjen e negociatave për anëtarësim.
 
Ambasadorët e BE-së, sot do të bëjnë edhe një përpjekje për gjetjen e një kompromisi para takimit të nesërm të ministrave. Asgjë e re ndërkohë as pas takimit të mbrëmshëm Merkel - Makron. Edhe pse pritej që në të, të diskutohej edhe për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë, nga deklaratat e Makronit dhe Merkelit, pas takimit, u la të kuptohej se temë  diskutimi ka qenë sulmi i Turqisë në Siri, ndërkaq mediat raportojnë se temë ka qenë edhe Brexiti dhe përbërja e re e Komisionit Evropian.
 
Ndërkohë, mediat në Shqipëri kanë publikuar draftin paraprak të konkluzioneve të Këshillit Europian për Samitin e 18 tetorit, i përgatitur nga Presidenca e Këshillit, që konfirmon hapjen me kushte të negociatave me Shqipërinë. Në draft thuhet se brenda gjashtë-mujorit të parë të 2020-ës, duhet të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe të ketë përparime në reformën zgjedhore, njësoj si në propozimet e bëra nga Bundestagu gjerman.