Maqedoni
Negociatat me RMV-në dhe Shqipërinë, Roth: BE të mbajë premtimin e dhënë të dy vendeve
14.10.2019 11:03
Qeveria gjermane i apelon Francës dhe vendeve të tjera skeptike në BE....

Qeveria gjermane i apelon Francës dhe vendeve të tjera skeptike në BE, të pajtohen me fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth, vlerëson se të dyja vendet i kanë kryer detyrat e kërkuara dhe meritojnë të shpërblehen. Ai porosit BE-në të mbajë premtimin për hapjen e negociatave. Në një intervistë për gazetën gjermane “Velt am Sonntag”, Roth përkujton se refuzimi do të rrezikonte seriozisht besueshmërinë e BE-së, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Po të krijojmë një vakuum politik, atë do ta mbushin pa shumë ceremoni aktorë si Rusia, Kina, Turqia apo Lindja e Mesme. Partnerët tanë nuk duhet të shkelin fjalën e dhënë. Më 15 tetor, ne duhet t’ia hapim dritën jeshile negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dy vendet kanë përmbushur detyrat dhe kjo duhet shpërblyer. Kemi marrë zotimet tona dhe tani duhet t’i mbajmë”, theksoi Roth.
