Maqedoni
Ahmeti priti ambasadorin Bjornstad: Drejtësi joselektive, veting për të gjithë funksionarët
14.10.2019 11:17
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e BDI-së....

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e BDI-së në Tetovë të dërguarin special norvegjez për Evropën juglindore, ambasadorin Arne Sarnes Bjornstad. Ahmeti dhe ambasadori Bjornstad këmbyen opinione rreth zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon mbi marrëdhëniet bilaterale, integrimin euroatlantik si dhe sundimin e ligjit.
Ahmeti informoi ambasadorin Bjornstad se BDI po ristrukturohet në të gjitha nivelet dhe do të fokusohet në sundimin e ligjit, ndërprerjen e praksës së drejtësisë selektive dhe veting për të gjithë gjykatësit, prokurorët, politikanët. Ahmeti tha se RMV de facto është anëtare e NATO-s, ndërsa më së voni deri në fillim të vitit të ardhshëm edhe de jure do të përmbyllet ky proces, si dhe përsëriti nevojën e një vendimi pozitiv të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian këtë javë për fillimin e negociatave.
Ambasadori Bjornstad ritheksoi mbështetjen norvegjeze për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë së veriut, integrimin në NATO dhe marrjen e datës për fillim të negociatave midis vendit tonë dhe Bashkimit Evropian.
Ahmeti falënderoi ambasadorin Bjornstad edhe për ndihmesën e madhe norvegjeze për realizimin e kufirit Llojan – Miratovc si dhe pastrimin e deponisë në Tetovë, por edhe për mbështetjen ndaj institucioneve si dhe rrugëtimin tonë EuroAtlantik.
