Botë
QKUK: 11 zyrtarë zgjedhorë po trajtohen në spital, u helmuan nga zarfet me votat e Serbisë
14.10.2019 16:15
Njëmbëdhjetë persona, nëntë femra dhe dy meshkuj, janë hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës....

Njëmbëdhjetë persona, nëntë femra dhe dy meshkuj, janë hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi atyre u është shkaktuar alergji në fytyrë dhe duar, nga kontakti me zarfet me votat e ardhura nga Serbia për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Gjendja shëndetësore e të gjitha femrave, sipas mjekëve të QKUK-së, raportohet të jetë stabile. Ata ende janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, ndërsa dy nga nëntë pacientët kishin pasur vjellje. Të gjithë kishin ndjenjë diskonforti dhe frike. Ekipi kujdestar i Klinikës Infektive ka ndërmarrë masat e duhura duke i hospitalizuar.
“Gjendja shëndetësore pas ekzaminimeve klinike që i është bërë pacientëve është stabile, të gjithë pacientët e kanë kujdesin e duhur prej klinikës infektive dhe profesionistëve tjerë dhe për momentin jemi duke i pritur rezultatet e mostrave që janë marrë. Për momentin nuk mundemi të japim kurrfarë diagnoze sa i përket këtyre pacientëve pa ardhur rezultatet laboratorike dhe pa marrë mendimin e konzeliumit",- tha drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha.
Thaçi: Të hetohet rasti i helmimit me profesionalizëm
Rasti tashmë nga Prokuroria Speciale i ka kaluar Prokurorisë Themelore të Prishtinës, e cila vazhdon hetimet. Për t’u informuar lidhur me rastin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhuni.
“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”,- ka thënë me këtë rast presidenti Thaçi.
Daka: Për fatin e votave nga Serbia, do të vendosim pas hetimit të helmimit
Zarfet nga Serbia, nga të cilat dyshohet se u helmuan 26 punonjësit e KQZ-së, tashmë janë objekt i hetimeve nga policia, e më pas do të sillet vendim se a do të numërohen.
“Këto zarfe të cilat potencialisht ka arsye të dyshohet se ka ndonjë materie, sepse tani ne nuk e dimë, se janë objekt i hetimit, do të mbesin në hapësirë, do të hetohen nga policia dhe do të ekzaminohen nga forenzika, ashtu siç kërkohet për të konstatuar në qoftë se ka pasur ndonjë mjet helmues dhe ende nuk dihet asgjë, sepse posa ka filluar vlerësimi dhe nuk është arritur të bëhet asnjë punë. Pasi që të kryhet hetimi, pasi të vlerësohet se a janë të rrezikshme a jo për shëndetin e njeriut, pastaj do të vazhdohet sipas procedurave”,- tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar se mostrat e këtyre zarfeve do të hetohen nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për të vërtetuar se për çfarë bëhet fjalë.
GYLTENE SINANI
