Maqedoni
Zaev: Jemi shembull në rajon, s’mund të ndëshkohemi
14.10.2019 17:04
Kryeministri, Zoran Zaev, është optimist se vendi do të marrë datë për nisjen e bisedimeve....

Sipas tij, Maqedonia është shembull në rajon për zbatimin e reformave. Zaev ripërsërit se kërkesat e Francës nuk kanë të bëjnë me kushtet ndaj Maqedonisë së Veriut, por me zbatimin e metodave produktive gjatë bisedimeve, e ai është optimist se BE nuk do të guxojë të dënojë shembullin e mirë që ka dhënë vendi.
“Nuk dua as të mendoj a do të ketë datë. Presim 15 vite, morëm vendime të renda, reformat kanë domethënien e tyre të vërtetuar 100 për qind me Raportin e KE-së, marrëveshjet me fqinjët. Jemi shembull për rajonin dhe BE-ja nuk guxon ta dënojë shembullin më të mirë. Datat 17-18 tetor do të jenë vendimtare, ndërsa unë mbetem optimist. I kemi nga vetja të gjitha argumentet mbi të drejtën për ta fituar datën e bisedimeve”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE: Me korrupsion e pa reforma, nuk ka datë
Por, ndryshe vlerëson VMRO-DPMNE. Sipas opozitës maqedonase, derisa kjo qeveri të jetë në pushtet, datë nuk do të ketë.
“Edhe pas gjitha të këqijave që bëri Zaev, si ndryshimi i Kushtetutës në mënyrë kriminale, Maqedonisë i janë hapur sfida të reja si ballafaqimi me korrupsionin e lartë, ku janë të përfshirë funksionarë shtetërorë dhe kriminaliteti. Nuk ka asgjë nga kushtet për reforma në administratën publike dhe sundimin e ligjit”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Çekia, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria: BE të fillojë bisedimet me Shkupin dhe Tiranën
Ndërkohë, shefat e diplomacive të Çekisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Hungarisë, përmes një letre të hapur, kërkojnë nga BE që të sjellë vendim të guximshëm për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat, sipas tyre, i kanë përmbushur kriteret kyçe që i ka vendosur BE, duke zbatuar reforma komplekse vendore.
“Vendimi pozitiv do të çojë sinjal të qartë se BE pranon rezultate konkrete në përmbushjen e kushteve që i vendos. Ajo nënkupton impuls shtesë për mbarë rajonin në vazhdimin e reformave dhe transformimin. Me hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, BE do të riafirmojë përcaktimet e saj për stabilitet, siguri, demokraci dhe prosperitet të rajonit. Po ashtu do ta njohë dhe pranojë faktin se vetëm përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor, BE do të jetë e kompletuar, ndërsa interesat e saj të mbrojtur në afatgjatë”,- vlerësojnë ministrat për punë të jashtme të Çekisë, Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë, Petriçek, Sijarto, Çaputoviq dhe Lajçak.
GAZMEND REXHEPI
