Maqedoni
Rasti "Zhvatja", Janeva lëshoi spitalin, kthehet në Shutkë
14.10.2019 17:24
Pas trajtimit mjekësor katërditor në një klinikë private në Shkup, ish kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, u kthye në burgun e Shutkës...

Siç njofton avokatja mbrojtëse, Irena Frçkovska, përmes linjës telefonike për TVM2, gjendja shëndetësore e Janevës pas terapive dhe kontrolleve është më stabile.
Janeva të enjten u hospitalizua për shkak të tensionit të lartë dhe një gjendjeje të përgjithshme ankthi. Gjykata e Apelit, ndërkohë, ka vendosur që kërkesën për heqjen e paraburgimit ndaj Janevës ta kthejë në rishqyrtim në Gjykatën Penale.
“Rekomandimi i Gjykatës së Apelit është se gjykatësi i procedurës paraprake nuk duhet ta kishte hedhur poshtë kërkesën me garancitë e dhëna nga Katica Janeva. Nëse nuk ka pasur bazë që Janeva ta braktisë burgun hetues të Shutkës, gjykatësi është dashur ta refuzojë ose ta shqyrtojë arsyeshmërinë e kërkesës”,- thonë nga Gjykata e Apelit.
Fërçkovska paralajmëron se do të parashtrojnë ankesë, kësaj radhe për vendimin për vazhdimin e 30 ditëve të reja për të cilat u vendos të enjten. Në spital sërish ka përfunduar edhe i akuzuari i Parë për rastin “Zhvatja”, Bojan Jovanovski, që ankohet si zakonisht për probleme në stomak.
Avokatët e tij këmbëngulin që ai të tranferohet në spital për mjekim nën kujdes më intensive nga mjekët.
Rasti “Zhvatja” mori kahje tjetër javën e kaluar, kur përveç 3 të akuzuarve kryesorë, hetimet u zgjeruan edhe me babanë e të akuzuarit parësor, Bojan Jovanovski, i cili sërish hetohet, por edhe me deputeten, Frosina Remenski, dhe nënkryetaren e “Asociacioni ndërkombëtarë", Jasna Mandiq.
FLORIJE BELULI KAMBERI
