Maqedoni
Kërkesat e Sofjes, Zaev: Të respektohet marrëveshja për fqinjësi. Gjorgjiev: Linjat e kuqe, nuk janë gjë e re për ne
14.10.2019 17:58
Kryeministri, Zoran Zaev, pret që keqkuptimet me Bullgarinë rreth historisë së përbashkët...

Kryeministri, Zoran Zaev, pret që keqkuptimet me Bullgarinë rreth historisë së përbashkët, të zgjidhen shpejt nga komisionet e dy vendeve, bazuar në Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë.
Sipas tij, deri tani janë tejkaluar keqkuptimet rreth gjashtë figurave historike dhe katër kapitujve, e kështu pret të vazhdohet. Deklarimet nga Bullgaria momentalisht thonë se janë në funksion të fushatës zgjedhore.
“Bullgaria është një mike e madhe e Maqedonisë, por tani kanë zgjedhje. Kur ata kanë zgjedhje, gjithçka ndodh. Ne kemi Marrëveshje të Fqinjësisë së Mirë. Kur pranuam që kemi histori të përbashkët, kemi thënë se kemi edhe historinë tonë, por se një pjesë është e përbashkët. Duke pasur parasysh Marrëveshjen, ata kanë rënë dakord të na japin pëlqim për anëtarësim në BE dhe NATO”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev njoftoi se këto ditë do të takojë homologun e tij bullgar, Bojko Borisov. Paraprakisht ai u takua me anëtarët e Komisionit për Harmonizimin e Fakteve Historike me Bullgarinë.
Nga ky Komision pranojnë se e kanë të vështirë të punojnë, pasi hija e deklaratave nga Sofja është e pranishme edhe në punën e tyre.
“Këto linja të kuqe në lidhje me gjuhën dhe kombin maqedonas nuk janë risi dhe të panjohura. Ato janë qëndrime të vjetra të Bullgarisë që për fat të keq nuk kontribuojnë në marrëdhëniet e mira midis dy shteteve”,- tha kryetari i Komisionit për Çështje Historike dhe Arsimore me Bullgarinë, Dragi Gjorgjiev.
Gjorgjiev thotë megjithatë se do të përpiqen të jenë konstruktivë në mbledhjen e së martës të Komisionit maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore.
REXHEP QAMILI
