RUSI

Propozohen sanksione shtesë ndaj Rusisë nga SHBA

17.09.2014 12:30

Kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit Amerikan, demokrati Robert Menendez dhe anëtari i këtij komiteti nga radhët e republikanëve, Bob Corker, e kanë paraqitur një propozim të ri, me të cilin ashpërsohen sanksionet kundër Rusisë dhe i dërgohet më tepër ndihmë ushtarake Ukrainës.........

Në një shenjë të unitetit dypartiak, mbrëmë vonë ata thanë se ky komitet do të votojë për aktin e mbështetjes së lirisë të Ukrainës, më 18 shtator.

Ky propozim parasheh që presidenti amerikan, Barack Obama, të imponojë sanksione kundër kompanisë ruse për import-eksport, “Rosoboronexport” dhe për firmat e tjera të mbrojtjes dhe energjisë.

Po ashtu, kërkohen sanksione kundër kompanisë “Gazprom”, nëse presidenti përcakton se e ndal dërgimin e gazit në Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji ose në vendet e tjera aleate të NATO-s.

Propozimi, njëherit autorizon 350 milion dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe 50 milion dollarë për kompensimin e mungesave të lëndës djegëse në periudhën 2014-2015.