Maqedoni
Pritjet nga KE, Osmani: Presim datë, kemi mbyllur temat politike. Popovski: Duhet të ketë datë, por metodologjia ndryshon. Tufekxhiq: Nuk na shpërblen kush, kemi bërë punë
14.10.2019 18:37
Pushteti dhe opozita, ndonëse me këndvështrim të ndryshëm, presin që Brukseli t’i japë dritë jeshile RMV-së...

Pushteti dhe opozita, ndonëse me këndvështrim të ndryshëm, presin që Brukseli t’i japë dritë jeshile RMV-së për hapjen e negociatave me BE-në.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, në Këshillin Nacional për Eurointegrime, ku u debatua lidhur me pritjet dhe perspektivat në procesin e aderimit në BE, tha se vendi ka punuar për 19 vite rresht që të implementojë Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim me BE-në, duke mbyllur kështu temat e hapura politike.
“Pritjet janë të mëdha për shkak të gjithë asaj pune që është bërë në periudhën që kemi kaluar dhe ky nuk është një proces që e kemi filluar dje, është proces në të cilin punojmë në 19 vitet e fundit. 15 vite anëtar kandidat, por veçanërisht 2,3 vitet e fundit, të cilat dhanë bazë për raportet më pozitive që ka marrë ky vend për shkak të reformave thelbësore që u realizuan, por edhe mbylljes së temave politike”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Edhe kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Nikolla Popovski, tha se duhet të ketë hapje të negociatave, por, sipas tij, do të ndryshojë metodologjia në vlerësim gjatë procesit.
“Unë jo vetëm që dëshiroj, por jam i bindur se duhet patjetër të ketë hapje të negociatave në fillim të vitit 2020. Po aq sa jam i bindur se do të ketë një metodologji të re dhe se kemi një periudhë të gjatë deri në anëtarësim. Për këtë nuk jemi të vetëdijshëm, do të kemi vështirësi në funksionim, ndërsa ata se si do të na vlerësojnë, varet se si funksionojmë”,- tha kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Nikolla Popovski.
Zëvendëskryetarja e Këshillit Nacional për Eurointegrime, Ivana Tufegxhiq, tha se askush nuk po na shpërblen, por se kemi merituar që të marrim datë për fillimin e negociatave me BE-në.
“Ne kemi bërë hapa të vështirë si shtet dhe kjo duhet të na pranohet. Kemi shkaktuar shumë viktima, nuk po flas për viktima politikë, por kemi bërë lëshime serioze në emër të eurointegrimeve dhe qytetarët e kanë mbështetur këtë. Mendoj se nuk bëhet fjalë për dhuratë, por përkundrazi, ne përmbushëm të gjitha detyrat të cilat ia vëmë vetë vetës, jo BE-ja”,- u shpreh zëvendëskryetarja e Këshillit Nacional për Eurointegrime, Ivana Tufekxhiq.
Në Luksemburg ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të martën pritet të dalin me një vendim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Konkluzionet nga takimi i ministrave do të ridiskutohen të premten në takimin e kryeministrave dhe presidentëve.
NAIM RAMADANI
