Botë

Ndërhyrja e Turqisë në Siri, BE dënon operacionin ushtarak turk

14.10.2019 20:33

Bashkimi Europian dënon operacionin ushtarak turk në veri të Sirisë...

Bashkimi Europian dënon operacionin ushtarak turk në veri të Sirisë.

“BE dënoi veprimin ushtarak të Turqisë, që rrezikon rëndë stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, theksohet në  deklaratën e përbashkët të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg.

Qeveritë e disa vendeve të BE-së e kanë kërcënuar edhe me sanksione Ankaranë. Turqia vazhdon të këmbëngulë se me sulmet kundër terroristëve kurde, synon krijimin e një zone të sigurt në veri të Sirisë, në mënyrë që, siç thotë, të kthejë miliona refugjatë sirianë që gjenden në territorin turk.

Autoritetet turke kanë kërcënuar vendet evropiane se mund të hapin portat dhe të drejtojnë këta refugjatë për në vendet evropiane. Pas fillimit të ofensivës turke në Siri, po vërehet ndërkohë edhe një ndarje mes vendeve anëtare të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bëri thirrje vendeve aleate të qëndrojnë unike në luftën kundër ISIS-it.

“Turqia është e rëndësishme për NATO-n. Ne rrezikojmë të dëmtojmë unitetin që na nevojitet në luftën kundër Shtetit Islamik”,- tha Stoltenber. 

Kurdët e Sirisë kanë qenë aleatë të Perëndimit në luftën kundër militantëve të IS-it, mirëpo Turqia i konsideron ata terroristë.