Maqedoni
Takimi në Luksemburg, Rot: Gjermania pro çeljes së negociatave
15.10.2019 10:58
Sot në Luksemburg, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian vendosin mbi çeljen ose jo të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë....

Pozita e Gjermanisë është e qartë e kristaltë. Ne e mbështesim fillimin e negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, deklaroi sot ministri shtetëror për Evropën me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Mihael Rot.
“Kjo pozitë e jona është në bazë të votimit të Bundestagut gjerman. Bashkimi Evropian ndërmori obligime për paqe, stabilitet, demokraci dhe pajtim në Ballkanin Perëndimor, ndërsa kjo do të thotë se duhet t’i plotësojë premtimet e veta”, theksoi Rot para takimit të sotëm të Këshillit të ministrave të BE-së në Luksemburg në të cilin do të debatohet për fillimin e negociatave inkuadruese me Shkupin dhe Tiranën.
Franca nuk e ndërron qëndrimin
Ndërkohë Franca mbetet në pozicionin e saj sa i përket mosdhënies së datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Mediat kanë raportuar se Franca vazhdon të mbajë qëndrimin se janë të nevojshme reforma nga vendet kandidate si dhe dëshmi plotësuese për luftën kundër korrupsionit dhe pavarësisë së gjyqësorit tek të dyja vendet.
Franca gjithashtu ka shtruar si prioritet edhe zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale si dhe lëndët e kësaj prokurorie, njofton MIA, duke u thirrur në burime diplomatike. Ajo që po ashtu është evidente, Parisi zyrtarisht kundërshton ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë proces. Ajo kërkon vlerësim në pako për të dyja vendet. Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare edhe nesër pritet të diskutojnë mbi këtë temë, por vendimi final do të merret në samitin e liderëve të BE-së që do të zhvillohet më 17 dhe 18 tetor në Bruksel.
