Maqedoni
KRRE: Qyteti i Shkupit kërkon licencë për ngrohtore
15.10.2019 15:36
Qyteti i Shkupit ka parashtruar kërkesë për marrjen e licencës për distribuim të ngrohjes....

Siç bëjnë të ditur nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, që të mund të themelohet Ndërmarrja e Sistemit Energjetik e Qytetit, fillimisht duhet t’i merret licenca kompanisë “Ballkan Enerxhi Grup Distribuimi”, për çka nevojitet një procedurë prej 45 ditësh.
“Kemi për qëllim të kemi një procedurë plotësisht të pastër, me qëllim që të sigurojmë siguri në furnizimin me energji për ngrohje. Përveç akteve nënligjore në pjesën e dhënies së licencave, është edhe ligji i energjetikës, ku janë të definuara procedurat”,- tha kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski.
KRRE: Do të ulet çmimi i kyçjes së energjisë elektrike
Njëherit nga KRRE bëjnë të ditur se javën që vjen do të realizohet premtimi për uljen e çmimit të kyçjes së rrymës më pak se 400 euro. Drejtori Bislimoski informoi se miratimi i çmimeve të reja për kyçje është në fazën përfundimtare.
“Premtuam se do të fillonte më 1 tetor, por në periudhën e fundit po rishikojmë listën e çmimeve të EVN-së dhe nga java tjetër do t’i shpallim çmimet e reja, më të ulëta nga se kemi njoftuar dhe kjo është arsyeja pse e kemi vonuar paksa këtë adoptim. Javën e ardhshme do të shpallen çmime të reja për kyçje standarde të energjisë elektrike që do të jenë më të ulëta se çmimi i shpallur prej 400 eurosh. Do të ketë ulje shtesë. Ne jemi në diskutime përfundimtare me përfaqësuesit e shpërndarjes së energjisë elektrike”,- deklaroi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski.
Nga KRRE sqarojnë se procedura e dhënies dhe marrjes së licencave nuk do të dëmtojë qytetarët të cilët rregullisht do të vazhdojnë të furnizohen me ngrohje.
SEDAT SELIMI
