Maqedoni

Video-incizimi për ryshfet, Asim Musa dorëhiqet nga posti zëvendësministër

15.10.2019 16:04

Asim Musa dha dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit të Shëndetësisë....

Dorëheqja e tij erdhi pas publikimit të video incizimit ku pretendohet se në hapësirat e spitalit shtetëror kryen ndërhyrje kirurgjikale kundrejt ryshfetit. Incizimin e publikuar Musa e ka quajtur një “spektakël inekzistues mediatik”, por ka vendosur të dorëhiqet nga posti.
 
“Fatkeqësisht, përpjekja ime e sinqertë për t’iu ndihmuar pacientëve u shndërrua në grackë për spektakël inegzistues media, me qëllim që të dëmtojë figurën time, personalitetin tim dhe punën time profesionale. Me kërkesën e vazhdueshme të pacientit në fjalë vetëm kam njoftuar pacientin se ndërhyrja për shtetasit e huaj pa sigurim shëndetësor në Maqedoni është private dhe e kam njoftuar për koston e mundshme të shërbimit shëndetësor për gjithë procedurën që në fakt ai edhe më pyeti”,- tha zv/ministri në dorëheqje, Asim Musa.
 
Filipçe: Nuk është mënyrë e funksionimit 
 
Dorëheqja e zëvendësministrit Musa u përshëndet nga ministri i këtij dikasteri, Venko Filipçe, sipas të cilit këto veprime nuk janë mënyra e  duhur për të funksionuar.  
 
“Konsideroj se duhet të kemi qasje joselektive pa marrë parasysh për funksionet që kemi, institucionet duhet të ndërmarrin masa nëse konsiderojnë se një gjë e tillë nuk është në rregull. Ajo nuk është mënyrë e funksionimit për asnjë sistem e as për sistemin tonë shëndetësor, për veprime të tilla ka sanksione. Ne po tentojmë me të gjitha masat tona të stimulojmë mjekët, me rritje të rrogave dhe me këtë tendencë dhe politikë do të vazhdojmë në të ardhmen”,- tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
ASh: Kërkojmë përgjegjësi juridike nga Musa
 
Nga Aleanca për Shqiptarët përshëndetën dorëheqjen si akt moral, ndërsa kërkuan përgjegjësi juridike për rastin.
 
“Si parti politike kërkojmë përgjegjësi juridike edhe atë në tre drejtime për shkak se zëvendësministri ishte në kabinetin e zotëri Zaevit dhe kjo kalon edhe në përgjegjësi të të gjithë qeverisë në politikat e saj në shëndetësi, pastaj kërkojmë përgjegjësi edhe prej partisë së cilës ai i përket”,- u shpreh Bekim Tateshi nga ASh.
 
Grubi: BDI përshëndet dorëheqjen e zëvendësministrit Musa
 
Dorëheqjen e Musës e përshëndeti edhe bashkëpartiaku i tij, deputeti, Artan Grubi, sipas të cilit prioriteti absolut dhe i pakompromis i BDI-së është drejtësia joselekitve, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe sundimi i drejtësisë.
 
“Në emër të partisë e përshëndesim vendimin e zëvendësministrit të Shëndetësisë, Asim Musa, dhe njëkohësisht falënderoj mediat me të cilat bashkërisht po bëjmë përpjekje për të ndërtuar një shoqëri në të cilën qytetarët do të ndihen të barabartë dhe bashkërisht do ta luftojmë edhe korrupsioni edhe krimin e organizuar dhe do të imponojmë veting për të gjithë funksionarët”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
Prokuroria nis hetimet ndaj zëvendësministrit Musa
 
Lidhur me rastin është prononcuar edhe Prokuroria Themelore Publike në Strugë, e cila njofton se ka nisur hetim në lidhje me rastin e videos. Nga Prokuroria thonë se nën suazat e procedurës parahetimore do të kërkohet ndihmë ndërkombëtare me qëllim që të sigurohen pamjet origjinale të incizimit. Publikimi i videos ku pretendohet se Musa do të bënte ndërhyrje kirurgjikale në një spital në Strugë, kundrejt 1000 eurove u publikua nga emisioni “Fiks Fare” në Shqipëri.
 
ZEKIRJA MEXHITI