Maqedoni
DAP: “Asociacionit Ndërkombëtar”,“Tomato” e “MBJ media grup” fshehën 325 mijë euro tatim
15.10.2019 16:25
Kundër “Asociacionit Ndërkombëtar” të Bojan Jovanovskit, “Tomato Produkcion”, aty ku ishte e vendosur 1TV...

Kundër “Asociacionit Ndërkombëtar” të Bojan Jovanovskit, “Tomato Produkcion”, aty ku ishte e vendosur 1TV dhe kundër “MBJ Media Grup”, do të iniciohen kallëzime penale, informojnë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
Në brifing me gazetarët autoritetet e DAP-it kanë informuar se tre prej këtyre firmave dyshohen se përmes parregullsive të kryera me tatimin e fitimit personal dhe TVSH-në, kanë fshehur tatim në vlerë prej mbi 20 milion denarë, apo rreth 325 mijë euro. Në 1TV janë evidentuar disa parregullsi tjera në punën e televizionit dhe dhënies së disa huave të cilat ende nuk janë kthyer nga drejtuesit e “MBJ Media Grup”, por deri në këto momente nuk ka bazë për të ngritur kallëzim penale ndaj 1TV. Inspektorët e DAP-it tashmë i kanë përpiluar procesverbalet nga kontrollet e tyre të kryera nga terreni dhe kanë filluar procesin e dorëzimit të tyre tek autoritetet e firmave në fjalë dhe organeve të ndjekjes.
Inspektorët e DAP-it thanë se në burgun e Shutkës kanë tentuar t’ia dorëzojnë Jovanovskit procesverbalet, por ky i fundit ka refuzuar një gjë të tillë, duke u arsyetuar se ka deponuar dorëheqjen nga të gjitha funksionet që ka pasur në këto subjekte. Inspektorët kanë konstatuar se “Asociacioni Ndërkombëtar” nuk ka pasur kontabilist, se dy kompani kanë nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e dy shtëpive për pleq, pa pasur projekte, kanë bërë pagesa të majme, por mjetet në vend të “Asociacionit Ndërkombëtar” janë transferuar në xhirollogaritë personale të Liljana Todorovskës dhe Jasna Mandiq. Në “BMJ Media Grup” janë konstatuar mallëverzime me promovimin dhe shitjen e biletave për dy koncerte, ndërsa në “Tomato Produkcion” mallëverzim me ndërtimin e objektit ku ishte e vendosur 1TV. Nga DAP-i po ashtu informojnë se shumë shpejt 1TV do të ketë pronar të rinj, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, por ai është shprehur i gatshëm të shlyejë borxhet e televizionit.
REXHEP QAMILI
GAZETAR:
REXHEP QAMILI
