Maqedoni

Shoqata “Nefron”: Ka pacient që 42 vite pret transplantim të organeve

15.10.2019 16:44

Pas vdekjes së nënës së saj, ajo vendosi që organet e nënës t’i donojë për dy pacientë që ishin me dializë...

Kjo bëri që ata të shpëtojnë dhe sot të jetojnë. Marija Kezharovska, sot për herë të parë u takua me personin të cilit ia kishte dhënë organet e nënës së saj të sëmurë. Ajo me emocione tregoi ndjenjat që kishte përjetuar.                                                               
 
“Është e vështirë ndjenja kur e din që e humb një të afërm, kurse aspak nuk është e vështirë ndjenja kur e di se i ndihmon dikujt dhe i jep shans për një të nesërme më të mirë. Vetë fakti kur e din që ndonjë organ i të afërmve tanë vazhdon të jetojë ne trupin e dikujt tjetër, sadopak që të jetë, na lehtëson”,- tha donatorja, Marija Kezharovska.
 
Kire Jançovski është një pacient i cili mori organ prej një donatori të vdekur. Mjekët thonë se e ardhmja është te transplantimi kadaverik. 
 
“Shpresa e vetme që përsëri të kthehemi në një jetë normale dhe të kemi jetë cilësore është transplantimi kadaverik i organeve, duke marrë parasysh që nuk mundemi të gjejmë donatorë të përshtatshëm në familjet tona që të na donojnë organ. Mund të thuhet se transplantimi i organeve është mundësi e dytë për jetë”,- tha pacienti, Kiril Jançovski.
 
“Mund ta paramendoni se cila është përgjegjësia të merret organ nga donor i shëndoshë. Pra ai nuk është pacient, ai është njeri i shëndoshë. Jo që transplantimi kadaverik nuk është e përgjegjshëm, por është më pak e përgjegjshme në atë pjesë”,- u shpreh drejtori i Klinikës së Urologjisë, Sasho Dohçev.           
                           
Këtë vit janë kryer 13 transplantime të veshkave nga donatorë të gjallë, kurse 4 transplantime nga donatorë të vdekur. Kjo shifër nuk është e kënaqshme për shoqatën “Nefron”. 
 
“Mendoj se duhet të shkojë në histori pritja me dekada për transplantim të organeve, kurse ne sot kemi pacient i cili pret 42 vite për transplantim të organeve”,- tha kryetari i Shoqatës për Dhurim të Organeve “Nefron”, Dushko Gjorgjiev.                                                                     
 
Nga Shoqata “Nefron” thonë se duhet të organizohen më tepër fushata për të ngritur vetëdijen për transplantim të organeve. 
 
BELINDA KOKA ADEMI