Ekonomi
Angjushev: Rritet për 2000 denarë paga minimale
15.10.2019 16:56
14 500 denarë do të jetë paga minimale në vend prej muajit dhjetor të këtij viti...

Kjo u dakordua nga qeveria, punëdhënësit dhe sindikatat. Me këtë vendim, paga minimale rritet për 2000 denarë. Sipas qeverisë, kjo do të rrit cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe do të inkurajojë rritjen e përgjithshme të pagave.
“Rritja e pagave është i induktuar nga ekonomia reale dhe nga gjendja në teren. Paga minimale e definon shtetin tonë, si dhe të gjitha shtetet e rajonit për atë se çfarë bëjnë. Niveli i pagës minimale të cilën tani e definojmë në 14.500 denarë, në princip është nivel i njëjtë me shtetet e rajonit”,- tha zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.
VMRO kritikon politikat ekonomike të qeverisë
Nga VMRO-DPMNE kanë kritika sa i përket menaxhimit me politikat ekonomike dhe financiare të shtetit, duke theksuar se LSDM e ka shkatërruar ekonominë e shtetit. Sipas partisë opozitare, qeveria e udhëhequr nga Zoran Zaev po i fut në borxh qytetarët, nuk po punon për to, kurse prioritet të vetëm ka rritjen e bizneseve të tyre.
“Për vetëm 45 ditë, ministrja Nina Angellovska me urdhër të Zoran Zaevit e futën në borxh Maqedoninë dhe qytetarët për mbi 150 milion euro. Në mesatare kjo është futje në borxh për 3 milion euro në ditë. Kufiri psikologjik i borxhit që moti është tejkaluar. Deri tani nuk shohim ndonjë projekt që është realizuar apo që fillon të realizohet. Realizimi i investimeve kapitale është 28%, që është shifër më e ulët në histori”,- tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Borxhi publik po ulet
Por, nga LSDM përgënjeshtruan deklaratën e VMRO-së se qeveria po futet në borxh. Përkundrazi, sipas LSDM-së, borxhi publik po ulet prej ardhjes së tyre në qeveri.
“Fakti që LSDM kujdeset për qytetarët dëshmohet edhe nga të dhënat për shumën e borxhit publik. Kur VMRO-DPMNE mori pushtetin në vitin 2006, borxhi publik përbënte 45,7%. Me 31 dhjetor 2016, ai u rrit në shifrat prej 48.8% e PBB-së. Borxhi publik sot shënoi një rënie të ndjeshme dhe ai tani përbën 46.7% të PBB-së”,- thuhet në reagimin e LSDM-së.
ERSAN PAJAZITI
