Maqedoni
Takimi i ministrave dhe pritjet e subjekteve, Pendarovski: Nuk presim sinjal, por vendim. Zaev: Liderët do të vendosin, jo ministrat e tyre. Janushev: Çdo gjë veç datës do jetë dështim. Sela: Marrja e datës ndihmon zbatimin e reformave
15.10.2019 17:33
Takimi i ministrave të vendeve anëtare të BE-së, ku pritet të merret vendimi për datën e bisedimeve...

Takimi i ministrave të vendeve anëtare të BE-së, ku pritet të merret vendimi për datën e bisedimeve, e gjen të ndarë politikën vendore.
Sipas pushtetit, vendi ka plotësuar të gjitha kushtet dhe reformat e nevojshme për fillimin e negociatave dhe meriton vendim pozitiv. Presidenti, Stevo Pendarovski, madje ka qenë i prerë se nuk pret asgjë tjetër veç se vendim pozitiv dhe datë për fillimin e negociatave.
“Nuk presim sinjal, por vendim. Në një vit e gjysmë adresuam gjithçka që duhej. Madje e ndryshuam edhe emrin tonë pas Marrëveshjes historike me Greqinë. Meqë BE thotë se procesi i anëtarësimit bazohet në rezultate, atëherë nuk presim as më pak e as më shumë nga ajo që kemi arritur. Porosia ime është: Na jepni shansin dhe na lejoni që të dëshmojmë se jemi të gatshëm” - thotë presidenti Pendarovski për Gazetën austriake “Die Presse”.
Edhe kryeministri, Zoran Zaev, është optimist. Përkundër pasigurisë franceze para fillimit të takimit të ministrave, Zaev pret që vendimin përfundimtar do ta marrin shefat e shteteve.
“Drama, sipas të gjitha gjasave, do të jetë deri në momentin e fundit. E shihni se si është debati në BE. Sipas vlerësimeve të mia, liderët do të vendosin për këtë çështje, e jo ministrat e tyre. D.m.th. kryetari Makron, sigurisht do të dëshirojë që para kolegëve të tij të sqarojë metodologjinë e tij, të merret vendim, i cili nuk ka të bëjë veç me ne si vende kandidate, por bëhet fjalë për reformë në BE, e cila është e ndërlidhur me vendet tona që duan të bëhen anëtare të unionit”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
“Presim dhe shpresojmë që qytetarët dhe shteti nuk do të dënohen dhe nuk do të jenë pengje të politikave të këqija të Zoran Zaevit dhe qeverisë së tij. Gjithsesi, ajo që është më e rëndësishme për momentin dhe që vazhdimisht duam t’ia përcjellim opinionit maqedonas është se çdo gjë, përveç një date të pastër për bisedime, do të jetë dështim dhe fiasko e kësaj qeverie”,- tha sekretari gjeneral i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
Edhe Aleanca për Shqiptarët konsideron se vendi ka ngec në zbatimin e reformave dhe aplikimin e shtetit ligjor, prandaj konsideron se vetëm me fillimin e negociatave vendi mund të avancojë në këtë drejtim.
“Marrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në do t’i ndihmonte edhe më shumë vendit për t’i kryer reformat e duhura së bashku me asistencën e BE-së dhe kjo e fundit është shpresa e vetme që Maqedoninë e Veriut mund ta ec përpara, duke iu siguruar qytetarëve të saj stabilitet politik, shtet të së drejtës, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie”,- ka thënë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, gjatë takimit me zëvendëskryetarin e Delegacionit të BE-së për Maqedoninë e Veriut, Xhulian Vasalo.
SHPËTIM NUREDINI
