Maqedoni

Bojkoti në Bërnjancë hyn në javën e tretë. Prindërit: Bojkoti vazhdon, pritet zgjidhje. Komuna e Gazi Babës për nxënësit e Bërnjancës: S’kemi informata se mësojnë në Haraçinë

15.10.2019 17:49

Bojkoti i nxënësve të fshatit Bërnjancë të komunës së Gazi Babës po hyn në javën e tretë...

54 nxënës edhe më tej nuk vijojnë mësimin sepse janë të detyruar të udhëtojnë mbi 2 km për të arritur deri në Shkollën Fillore “Gjergj Kastriot – Skënderbeu” në Haraçinë.
 
Ata thonë se njëlloj si moshatarët e tyre duan të mësojnë, por e kanë të vështirë si pasojë e rrugës së gjatë që duhet ta bëjnë në këmbë. 
                                                  
“Frikohemi vetëm ta kalojmë rrugën, një furgon ka shkelur një fëmijë”,- tha një nxënës. 
 
“Furgon kërkojmë, ne frikohemi prej qenve dhe veturave”,- u shpreh një nxënës.
 
Prindërit thonë se për hallin e tyre nuk janë kontaktuar nga komuna e Gazi Babës dhe Haraçinës. Nga komuna e Haraçinës kanë dëgjuar arsyetimin me shkrim në TVM2, se do iu dilet në ndihmë banorëve në kuadër të kompetencave ligjore, por ata ende nuk dinë se çka do të përmbajë kjo ndihmë.
 
Ndërsa nga komuna e Gazi Babës askush nuk është interesuar për bojkotin. Ata kërkojnë koordinim mes komunave dhe potencojnë se bojkoti do të vazhdojë deri në zgjidhjen e problemit të tyre. 
 
“Përgjigjen e kemi marrë vetëm në ekranin tuaj, ku kryetarja e Haraçinës tha se do t’iu ndihmojë, nuk e di se cila do jetë ndihma nga ata, komuna e Gazi Babës nuk e merr parasysh të bisedojë me ne. Lusim këto dy komuna që të koordinojnë punën mes vete dhe të bartin fëmijët, sepse bojkoti do vazhdojë deri në zgjidhjen e këtij problemi”,- tha prindi, Ekrem Saliu.
 
Pas disa ditësh heshtje nga komunën e Gazi Babës, iu përgjigjën me shkrim pyetjes tonë rreth kësaj çështje, duke theksuar se nuk kanë informacione se fëmijë nga vendbanimi Bërnjancë mësojnë në komunën e Haraçinës.
 
“Komuna e Gazi Babës kujdeset për qytetarët e saj, në veçanti për nxënësit që jetojnë në territorin e saj. Çdoherë mban llogari për nxënësit që jetojnë më larg shkollave fillore që të sigurojë transport, me qëllim që fëmijët në kohë dhe të sigurt të arrijnë deri në institucionet arsimore. Komuna e Gazi Babës nuk ka informatë se fëmijët nga territori i komunës, respektivisht vendbanimi Bërnjancë, mësojnë në komunën e Haraçinës”,- thuhet në komunikatën me shkrim të sektorit për marrëdhënie me publikun të komunës së Gazi Babës. 
 
FLUTURA LATIFI