Maqedoni
Luksemburg, ministrat e jashtëm diskutojnë për RMV-në dhe Shqipërinë
15.10.2019 18:11
Në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian u diskutua çështja e fillimit të negociatave të pranimit...

Në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian u diskutua çështja e fillimit të negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Pas shumë diskutimeve dhe mosdakordimeve mes përfaqësuesve të vendeve të BE-së, Finlanda si kryesuese është paraqitur me propozim të ri që fati për Maqedoninë e Veriut të ndahet nga ai për Shqipërinë.
Drafti i presidencës finlandeze udhëzon që të paktën RMV të marrë vendim pozitiv, kurse Shqipërisë t'i kërkohet përmbushja e kritereve të caktuara para fillimit të bisedimeve. Por, ky propozim nuk ka gjetur mbështetje nga disa vende anëtare të BE-së. Kundër këtij propozimi kanë dalë Gjermania, Italia dhe Greqia, të cilat tentojnë rrugëtim integrues në pako për RMV-në dhe Shqipërinë.
Edhe Francën si duket nuk e ka zbutur propozimi i Finlandës. Sipas informacioneve të mediave ndërkombëtare që ndjekin takimin e ministrave me dyer të mbyllura, pala franceze ka njoftuar se nuk do të japë pëlqimin e saj për të filluar zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit me Shkupin.
Para se të fillojë samiti, sekretarja shtetërore franceze për çështje evropiane, Ameli de Monshalan, deklaroi se Franca nuk është kundër perspektivës evropiane ballkanike, por, sipas saj, Parisi kërkon të gjendet mënyrë kredibile, i cili do të krijonte besim në rajon dhe Evropë.
Ndërkohë, Holanda ka konfirmuar notë pozitive për RMV-në, ndërsa e rezervuar për Shqipërinë.
“Nuk jam këtu me pozicion të mbroj veton. Do të bisedojmë për dy dimensione. Në njërën anë janë bisedimet nga një Evropë e përgatitur, në anën tjetër reformat në procesin negociues. Kjo është një shans për të biseduar se si Evropa mund të reformojë tërë procedurën e negociatave”,- tha sekretarja shtetërore për çështje evropiane – Francë, Ameli De Monshalan.
“Pozicioni ynë është se vendet duhet të vlerësohen veç e veç për të arriturat. Të dy vendet kanë shënuar progres. Në raport me RMV-në, mendoj se duhet të ndërmerret një hap konkret përpara. Sa i përket Shqipërisë, atje duhet të punohet akoma. Mendoj se ata ende nuk janë gati për t'i filluar bisedimet”,- tha ministri i punëve të jashtme në Holandë, Stef Block.
Gjermania dhe Finlanda janë shprehur pro bisedimeve me RMV-në dhe Shqipërinë.
“Pozicioni gjerman është i pastër si kristal. Përkrahim fillimin e bisedimeve me RMV-në dhe Shqipërinë. BE ka marrë përgjegjësi për paqe, stabilitet dhe demokraci në Ballkan”,- theksoi ministri për Evropë në MPJ-në gjermane, Mihael Rot.
“Si presidencë jemi të përkushtuar të vazhdojmë procesin e zgjerimit. Presim të dërgojmë sinjal për Ballkanin Perëndimor, për RMV-në dhe Shqipërinë, sepse kemi obligim për këtë rajon”,- tha ministrja finlandeze e punëve të jashtme, Tuti Tupurainen.
Në përpjekje për të bindur zyrtarët e BE-së janë vënë edhe zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, dhe ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov. Dy funksionarët shtetërorë kanë zhvilluar komunikime intensive me ministrat e BE-së, për të rezultuar këta të fundit me vendim pozitiv.
Meqë gjasat janë minimale për të dalë ministrat evropianë me vendim konkret për Shkupin dhe Tiranën, çështja do t'ju përcillet për diskutim dhe vendim kryeministrave dhe shefave të shteteve të BE-së të enjten dhe të premten në Bruksel.
Vendimi për të hapur negociatat e pranimit kërkon një miratim unanim nga të gjitha vendet anëtare.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
