Maqedoni

Anketë e “Eurothink”: 47.7% e qytetarëve optimistë për hapjen e bisedimeve

15.10.2019 18:27

Përkrahja e qytetarëve për anëtarësim në Bashkimin Europian është e madhе...

Përkrahja e qytetarëve për anëtarësim në Bashkimin Europian është e madhe, por janë ulur pritshmëritë për anëtarësim të shpejtë.
 
Pothuajse gjysma e qytetarëve, gjegjësisht 47.7 për qind, vlerësojnë se këtë javë Komisioni Europian do të marrë vendim pozitiv për hapje të bisedimeve me BE-në, ndërsa 39.9 për qind nuk janë optimistë, thonë nga Qendra për strategji europiane “Eurothink”.
 
Rezultatet e publikuara nga anketa e kësaj qendre tregojnë se edhe pse para 6 muajve 60 për qind e qytetarëve kanë besuar se në 10 vitet e ardhshme do të ndodhë hyrja e Maqedonisë së Veriut në BE, tani besueshmëria ka rënë për 10 për qind.
 
Në pyetjen se cilin shtet qytetarët e shohin si mik apo si armik të vendit, si armik është cilësuar Bullgaria, duke e zëvendësuar armikun tradicional, Greqinë, pas reaktualizimit të marrëdhënieve në opinion, ndërsa 10.4 për qind e qytetarëve konsiderojnë SHBA-në për mik të mirë të vendit, me 10.1 për qind Gjermaninë dhe 7.7 për qind Turqinë.
 
Sa i përket çështjes se sa Maqedonia e Veriut është e gatshme për të filluar bisedimet me BE-në, 22.9 për qind janë përgjigjur se vendi është tërësisht i gatshëm, 36.8 për qind mendojnë se vendi është pjesërisht i gatshëm dhe 34.1 për qind vlerësojnë se vendi nuk është aspak i gatshëm për të filluar bisedimet. 42.9 për qind e qytetarëve mendojnë se Bashkimi Europian është fer dhe korrekt me Maqedoninë e Veriut, ndërsa 30.3 për qind mendojnë se BE nuk është fer.
 
Në pyetjen se përse japin qytetarët përkrahje për anëtarësim të vendit në BE, përgjigjet janë siç vijojnë: 73.6 për qind besojnë se do të ketë standard më të mirë jetësor, 52.7 për qind besojnë në demokraci më të madhe dhe 50.4 për qind besojnë në ulje të papunësisë.
 
Anketa është realizuar nga periudha 27 shtator deri më 14 tetor 2019.
 
GAZMEND REXHEPI