Botë
QKUK: Zyrtarët e KQZ-së nuk kanë sëmundje ngjitëse
15.10.2019 19:32
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Klinika Infektive në Prishtinë, kanë përjashtuar mundësitë e ndonjë sëmundjeje ngjitëse...

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Klinika Infektive në Prishtinë, kanë përjashtuar mundësitë e ndonjë sëmundjeje ngjitëse për 12 personat të cilët janë hospitalizuar të dielën në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pasi janë përballur me një reaksion derisa kanë qenë duke numëruar zarfet me vota të ardhura nga Serbia në Kosovë.
Pas rezultateve të analizave, të cilat janë bërë publike pas 48 orësh, drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazi-Berisha, tha se rezultatet e analizave nuk kanë treguar ndonjë sëmundje infektive.
“Prej rezultateve që kemi është konfirmuar se nuk ka sindromë infeksioni. Të gjitha analizat që i kemi marrë nga Instituti i biokimisë janë në normë, analizat rutinore biokimike, kurse strishot të cilat janë në rezultatet që sot i kemi marrë e përjashtojnë mundësinë e ndonjë agjenti infektiv”,- tha drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazi-Berisha.
Të 12 punonjësit e Komisionit Qendror Zgjedhor janë hospitalizuar pasi në duart dhe fytyrën e tyre janë shfaqur shenja të një lloj alergjie.
Autoritetet e sistemit të drejtësisë në Kosovë janë në kërkim të një laboratori në një shtet të huaj, që do të mund të hetonte substancën eventuale në zarfet me vota, të cilat kanë qenë duke numëruar zyrtarët e KQZ-së.
Aktualisht numërimi i votave të ardhura nga Serbia është pezulluar.
GYLTENE SINANI
