Liga e Kampionëve
Tevez i jep fitoren Juventus-it, mposhtet Atletico Madrid-i, fitojnë Monaco e Zenit-i, Liverpool-i fiton në fund, Real-i bindës. Fiton dortmund-i, barazon Anderlecht-i i Besnik Hasit......

Skuadra ruse, Zenit e ka filluar mbarë garat e sivjetme në Ligën e Kampionëve. Ekipi i trajnerit Andre Villas-Boas, ka shënuar fitore ndaj skuadrës nga vendi i tij, Benfica.
Sulmuesi brazilian Hulk, e krijoi epërsinë në minutën e pestë, për ta dyfishuar atë mesfushori belg, Axel Witsel, në minutën e 22’. Vendasit që nga minuta 18’ luajtën me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të portierit Artur Moraes, kurse më pas në portë kaloi portieri rezerv, Paulo Lopes. Monaco, pushkë një plumbëshe!
Finalisti i dy viteve më parë të Ligës së Kampionëve, Borussia Dortmund, ka arritur t’ia nis me fitore kampanjës 2014/15. Djelmoshat e Jurgen Klopp kanë mposhtur Arsenalin, rivalin direkt për vend të parë në grup, me rezultat 2-0. Ka qenë sulmuesi më i mirë i stinorit të kaluar në Serie A, Ciro Immobile, që debutoi në Ligë të Kampionëve me gol, duke shënuar pak para fundit të pjesës së parë, derisa Pierre Emerick Aubameyang me të nisur pjesa e dytë shënoi për të vulosur fitoren e ‘milionerëve’ nga Dortmundi.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Besnik Hasi me Anderlechtin, ishte shumë afër debutimit në Ligë të Kampionëve si trajner me fitore, por krejt në fund, turqit barazuan në saje të Burak Yilmaz duke shpëtuar një pikë, për 1-1.
Juventus ka arritur të shënojë fitore të pritur ndaj suedezëve të Malmos. Mirëpo, kjo fitore nuk ka ardhur fare lehtë, që tregon rëndësinë e garës, përkundër kundërshtarit të lehtë në letë. Ka qenë ‘Apache’ Carlos Tevez që ka shënuar dy gola në pjesë të dytë për t’ia sjellur trepikëshin e parë Juventusit, derisa goli i dytë erdhi krejt në fund të ndeshjes.
Sidoqoftë, Juventusit mundi iu shpagua në fund, derisa rezistenca suedeze nuk duroi deri në mbarim të takimit. Nga minuta e 53-të e ndeshjes, për Malmon luajti edhe Agon Mehmeti që zëvendësoi Markus Rosenbergun në sulm.
Në ndeshjen tjetër të Grupit A, Olympiacos ka arritur të shënojë fitore të madhe ndaj Atletico Madridit. Grekët kanë mposhtur nënkampionin aktual të Ligës së Kampionëve, me rezultat 3-2 në një ndeshje plotë emocione dhe me gola.
Përkundër se Atletico e Diego Simeones tentoi rikthimin, grekët e udhëhequr nga ish sulmuesi i Barcelonës, Ibrahim Afellay, kanë arritur të shënojnë fitore në fund.
Afellay ka regjistruar një gol dhe një asist në fitoren e grekëve, për të cilët u paraqit edhe Pajtim Kasami, që gjithashtu asistoi në golin e tretë të Olympiacosit, të cilin e shënoi Kostas Mitroglou. Golat për ‘jorganxhinjtë’ madrilen i shënuan dy transferet e verës, Mario Mandzukic dhe Antoine Griezmann.
Skuadra zvicerane Basel, në të cilën luajnë edhe futbollistët shqiptarë si Taulant Xhaka e Shkelzen Gashi, është turpëruar sonte në stadiumin Santiago Bernabeu pas humbjes së thellë nga njëri prej favoritëve kryesorë për ta fituar këtë titull, Real Madrid.
E gjithë kjo ‘torturë’ nga madrilenët filloi në minutën 14’ me autogolin e çekut, Marek Suchy, derisa bombardimet më pas vazhduan me anë të Gareth Bale-it, Cristiano Ronaldos, James Rodriguezit e Karim Benzemas, kurse sulmuesi i Baselit, Derlis Gonzalez, u përkujdes për golin e nderit për mysafirët.
Futbollisti kuqezi Taulant Xhaka, ishte i plotë në këtë ndeshje, derisa Shkelzen Gashi e shikoi ndeshjen nga banka rezerve.
Liverpool shpëton në fund Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Liverpooli u desh të djerësitej tepër shumë për të arritur deri tek fitorja në përballje me ekipin bullgar Ludogorets.
Baraspesha në rezultat u ndërrua vetëm në minutën 82’ kur Mario Balotelli shënoi për epërsinë e të kuqëve, kurse në minutën 90’+1 spanjolli i Ludogoretsit, Dani Abalo, e la Anfieldin në heshtje duke e barazuar rezultatin.
Kur të gjithë pritnin se ndeshja do të përfundoj me këtë rezultat, gjyqtari i ndeshjes akordoi penallti në minutën e tretë të lojës shtesë, për ta shndërruar atë në gol kapiteni i skuadrës, Steven Gerrard. (Sami Ademi, TVM2)
