Botë
Hong Kong, opozita pengon fjalimin e udhëheqëses Lam
16.10.2019 10:01
Udhëheqësja e Hong Kong-ut, Carrie Lam, është detyruar të pezullojë adresimin e saj vjetor në parlament, pasi opozita e pengoi fjalimin e saj....

Ligjvënësit e opozitës e ndërprenë seancën e Këshillit Legjislativ duke bërtitur dhe ngritur parulla kundër saj. Më pas Lam e bëri adresimin përmes një video incizimi. Ndërprerja e seancës e pamundësoi edhe tërheqjen zyrtare të projektligjit për ekstradim, që ka qenë arsye e trazirave dhe protestave të dhunshme në Hong Kong, për muaj të tërë. Projekt-ligji është pezulluar, por mbledhja e Këshillit Legjislativ ishte mundësia e parë për të tërhequr projekt-ligjin edhe zyrtarisht.
Protestuesit në Hong Kong për muaj të tërë e kanë kundërshtuar projekt-ligjin, pasi ai mundësonte ekstradimin në territorin kinez. Protestat më pas janë zgjeruar me kërkesat për më shumë demokraci dhe fushatë kundër Kinës, pasi, sipas protestuesve, Pekini po e rrit gjithnjë e më shumë ndërhyrjen në autonominë e Hong Kongut. Mbi 1,750 njerëz janë ndaluar deri më tani si rezultat i protestave.
