Botë

Kosovë, arrestime në veri të Mitrovicës

16.10.2019 10:56

Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka arrestuar dy persona në pjesën veriore të Mitrovicës

Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka arrestuar dy persona në pjesën veriore të Mitrovicës, njëri prej tyre i dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit.
 
Lajmin për mediat kosovare e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Njëri nga të dyshuarit i cili është në kërkim nga policia e Kosovës, është Zhelko Bojiq- shef i operativës në stacionin policor në pjesën veriore i cili dyshohet në fshehjen e provave në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Policia gjatë bastisjes së banesës së tij, ka arrestuar djalin e tij Velko Bojiq, te i cili janë gjetur armë dhe municion. Gjithashtu është arrestuar edhe pjesëtari tjetër i policisë Rade Bashar. Por, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka deklaruar se aksioni në veri është zhvilluar mbi dyshimin për krim të organizuar dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare. 
 
Lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës në veri, kanë reaguar autoritetet e Serbisë. Drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se autoritetet e Kosovës dëshirojnë t’i fajësojnë serbët për vrasjen e Ivanoviqit.