Terrorizmi, vazhdojnë arrestimet në Kosovë
Policia e Kosovës dhe Prokuroria, kanë konfirmuar arrestimin e 15 të dyshuarve për “veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.........

Në mesin e të arrestuarve janë edhe 12 imamë, përfshirë edhe Shefqet Krasniqin, imam në xhaminë e madhe në Prishtinë.
Në këtë operacion është arrestuar edhe Fuad Ramiqi, kryetar i Partisë Lëvizja Islame Bashkohu dhe 24 vjeçari me iniciale SH. K. nga Kaçaniku, i cili është prezantuar në mediet e Kosovës si shoku i Lavdrim Muhaxherit.
Në një komunikatë, Policia ka sqaruar se me këtë rast janë bastisur gjashtëmbëdhjetë lokacione, ku janë arrestuar pesëmbëdhjetë persona. Ndërsa në cilësi të provave materiale janë konfiskuar materiale inkriminuese lidhur me veprat për të cilat dyshohen këta persona, duke përfshirë pajisje elektronike, si dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin.
Ndërsa në shtëpinë e Imam Krasniqit, njoftohet të jenë konfiskuar 8 mijë euro, mbi 7 mijë franga zvicerane, 2 mijë e 300 dollarë, një sasi e pasaktësuar denarësh-monedha arabe, rupi të Pakistanit, si dhe disa dokumente të Republikës së Serbisë.
Po ashtu, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate njoftoi qytetarët për rrezikun që i kanoset çdokujt që merr rrugë për t’iu bashkangjitur organizatave të dyshuara që operojnë në territorin e Sirisë dhe Irakut, ku deri më tani disa persona nga Kosova janë deklaruar të vrarë.
Një pjesë e madhe e këtyre organizatave, siç janë Al-Nusra dhe ISIS, janë të shpallura organizata terroriste nga organizmat ndërkombëtarë, si dhe të njohura si të tilla edhe nga institucionet vendore, andaj Policia e Kosovës iu bën apel të gjithë personave që mos të bien pre e joshjeve dhe indoktrinimeve ideologjike. Në të kundërtën, Policia do të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar dhe për të luftuar çdo formë të ekstremizmit të dhunshëm, përfshirjes së individëve në aktivitete kriminale në organizata apo grupe terroriste brenda dhe jashtë Kosovës"- thuhet në komunikatën e Policisë.
Ndërkohë, Bashkësia Islame e Kosovës ka shprehur shqetësim pas arrestimit të 12 imamëve. Por, zëdhënësi i Ahmet Sadriut, citohet nga mediet në Kosovë të ketë deklaruar se “askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe institucionet kompetente janë të thirrura ta kryejnë punën e tyre". Ndërsa duke u distancuar nga paraqitjet publike të imamëve, zëdhënësi i BIK ka thënë se "të gjitha paraqitjet e tyre janë publike dhe përgjegjësia është individuale”. (Naim Sinani, TVM2)
