Maqedoni
Të gjithë sytë nga Këshilli i BE-së, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme
16.10.2019 15:01
Opozita sërish ka kërkuar zgjedhje të parakohshme....

Situata me datën për fillimin e negociatave me BE-në përbën edhe një dëshmi se nevojiten zgjidhje të parakohshme, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski, teksa akuzoi pushtetin se nuk është e aftë që të zbatojë reforma.
“Situata e tanishme e lidhur me datën për fillimin e negociatave me BE-në absolutisht është vetëm dëshmi se nevojitet që sa më parë të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare vetëm për arsye se shteti është peng i klanit të Zaevit dhe politikanëve që janë në funksione publike teksa kanë skandale që lidhen me korrupsion të lartë dhe krim”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
Ndërkohë, edhe nga Lëvizja Besa kërkojnë zgjedhje të parakohshme, teksa besojnë se BE nuk do të ndëshkojnë qytetarët me mosdhënien e datës për fillimin e negociatave.
“Nëse Maqedonia ditët në vijim nuk merr datë për hapje të bisedimeve, atë e tha edhe vetë kryeministri, që qeveria është e vdekur dhe kjo shumicë parlamentare do të duhet t’i shpallë menjëherë zgjedhjet e parakohshme. Shpresojmë që vendet e BE-së para se të vlerësojnë dështimin e qeverisë, do të kenë interesin e qytetarëve të Maqedonisë të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike që të jenë pjesë e shoqërisë dhe familjes evropiane”,- tha kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Shefat e vendeve anëtare të BE-së duhet të mblidhen të enjten dhe të premten, ku do të merret vendimi përfundimtar nëse RMV dhe Shqipëria do të marrin datë për fillimin e negociatave.
NAIM RAMADANI
