Maqedoni
Vendimi për çeljen e negociatave, Selimi: Pres vendim pozitiv, do të ketë edhe kontroll. Kadriu: RVM s’ka strategji veprimi për kërkesat e BE-së
16.10.2019 15:39
Vendimi i liderëve të shteteve anëtare të BE-së për anëtarësim në pako të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Union...

Vendimi i liderëve të shteteve anëtare të BE-së për anëtarësim në pako të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Union, pritet të jetë pozitiv.
Optimizmi i tillë i analistit, Sefer Selimi, mbështetet në bindjen se shtetet e BE-së nuk do të lejojnë hapjen e shtegut në Ballkan për ndikimin e Rusisë, Kinës dhe Turqisë.
Në “Argument” në TVM2, Selimi thotë se kundërshtarja kryesore, Franca, do të bindet duke e siguruar për zbatim të metodologjisë për kontroll direkt të procesit integrues.
“Franca veç më e ka draftin e asaj metodologjie e cila pritet pastaj të hyjë në sistemin e BE-së për të marrë sugjerimet dhe për t’u adoptuar, por unë pres që do të ketë një ndërlidhje në mes kapitujve ndryshe nga praktika e mëparshme. Pres që pjesa e kontrollit të bëhet me afatizime konkrete për objektivat specifike dhe me indikatorë të qartë përmes të cilave nuk do të jetë vetëm proces teknik i vlerësimit të përmbushjes së reformave, por edhe praktikë”,- tha analisti, Sefer Selimi.
Megjithatë, profesoresha universitare, Besa Kadriu, thotë se në mungesë të strategjisë së veprimit në vend, ekzistojnë dilemat në përmbushjen konkrete të kërkesave europiane.
“Unë besoj se ekziston një mungesë edhe e një strategjie të mirëfilltë. A kemi ne kapacitete të burimeve njerëzore për t’i përmbushur të gjitha ato standarde të cilat kërkohen? Unë besoj se pak punohet në këtë drejtim ose pak punohet në vendosjen e strategjive të cilat do të jenë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit”,- u shpreh profesoresha universitare, Besa Kadriu.
Opinionistët vlerësojnë se sfidues për vendin do të jetë kapitulli 23 dhe 24 për funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Krahas tyre, e një rëndësie të posaçme vlerësohet të jetë kapitulli 35, që do të përfshijë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, si dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.
MERAL ISMAILI
