Maqedoni

Bojkoti i mësimit në Bërnjancë, prindërit zyrtarisht kërkojnë takim në komunë

16.10.2019 16:12

Bojkoti i 54 nxënësve të fshatit Bërnjancë të komunës së Gazi Babës....

Bojkoti i 54 nxënësve të fshatit Bërnjancë të komunës së Gazi Babës, ka hyrë në javën e tretë, por deri më tani kreu i kësaj komune nuk i ka takuar banorët për t’i pyetur se përse nuk i lejojnë fëmijët të shkojnë në shkollë.
 
Tashmë nga komuna kanë konfirmuar për TVM2 se nuk kanë informacione se fëmijët e vendbanimit Bërnjancë mësojnë në komunën e Haraçinës. Për këtë kanë mësuar vetëm kur u pyetën nga redaksia jonë. Por, prindërit thonë se e kanë njoftuar komunën në telefon për këtë problem, megjithatë vendosën që t’u dërgojnë edhe një kërkesë me shkrim ku njoftojnë komunën se fëmijët e tyre janë të detyruar të udhëtojnë 2 km çdo ditë deri në Shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Haraçinë. Ata kërkojnë që komuna t’u sigurojë mjet transporti dhe kërkojnë furgon që do t’i transportojë deri në shkollë. 
 
“Ne e pamë përmes ekranit të RTVM-së se kinse nuk ka qenë i informuar kryetari i Gazi Babës zyrtarisht dhe ne morëm iniciativë të dorëzojmë kërkesë me shkrim deri te komuna e Gazi Babës. Besoj se ka qenë i informuar në mediat tuaja që non stop jeni marrë me këtë problem dhe ne sot i tregojmë se fëmijët po bojkotojnë shkollën. Kërkojmë edhe takim zyrtar me të që të qajmë hallet tona, se nuk kërkojmë asgjë më shumë se transport për fëmijët tanë”,- tha kryetari i Këshillit të Prindërve, Ekrem Saliu.
 
Ministri Ademi: Komunat të veprojnë sipas dispozitave ligjore
 
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, inkurajon komunat që në përputhje me dispozitat ligjore dhe detyrimet të ndërmarrin edhe përgjegjësitë që iu takojnë.
 
“Secila komunë e ka për obligim të mbajë llogari dhe të sigurojë transport për nxënësit e komunës së vet dhe t’ju ofrojë arsimim në kuadër të komunës së vet, në përputhje edhe me dispozitat që janë të parapara në Ligjin e ri për arsim fillor dhe të mesëm, e që kanë të bëjnë me rajonalizimin brenda një komune të caktuar”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
Prindërit janë të vendosur të mos lejojnë që fëmijët të shkojnë edhe më tej në këmbë në shkollë e do të vazhdojnë bojkotin deri sa komuna t’u sigurojë transportin. Nëse nuk gjendet zgjidhje, paralajmërojnë protesta.  
 
FLUTURA LATIFI