Botë

Aksion policor në veri të Mitrovicës, Prokuroria: Aksioni lidhet me grupin e Radoiçiçit

16.10.2019 16:24

Policia e Kosovës në orët e hershme të së mërkurës, ka kryer një operacion në tre lokacione në veri të Mitrovicës...

Policia e Kosovës në orët e hershme të së mërkurës, ka kryer një operacion në tre lokacione në veri të Mitrovicës, në kërkim të dy zyrtarëve policorë të cilët konsiderohet se janë pjesë e grupit kriminal të Millan Radojçiçit. Bëhet fjalë për hetuesin policor, Rade Basara, dhe shefin e operativës së Policisë për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq. Por, në këtë operacion është arrestuar vetëm zyrtari policor, Basara, derisa Bojiq nuk ishte i kapshëm për policinë. Është arrestuar edhe djali i zyrtarit policor, Zhelko Bojiq, i cili nuk ka qenë në kërkim, por është ndaluar për armëmbajtje pa leje. Nga prokuroria dhe policia thonë se të kërkuarit kanë lidhje me hetimet rreth vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, dhe vrasje tjera. 
 
“Jeni në dijeni se në pjesën veriore të Mitrovicës ekzistojnë grupe kriminale të organizuara mirë, të udhëhequra nga Millan Radojçiçi me grupin e tij kriminal, është lëshuar edhe urdhër-arrest ndërkombëtar dhe jemi në pritje të zbatimit të asaj urdhërese. Në shkresat e lëndës që disponojmë grupi kriminal i Radojçiçit është mjaft i organizuar dhe la ndikim edhe në policinë e Kosovës dhe strukturat tjera komunale e shtetërore të asaj pjese, prandaj këta dy persona ndaj të cilëve i kemi zgjeruar hetimet edhe këta kanë punuar nën urdhrat e Millan Radojçiçit dhe grupit të tij”,- deklaroi prokurori, Syl Hoxha.
 
“Menaxhmenti i policisë së Kosovës është duke punuar në atë drejtim që çdo zyrtar policor të zbatojë detyrat dhe përgjegjësit konform autorizimeve dhe këtë e dëshmon edhe fakti i arrestimit edhe të zyrtarëve policorë që dëshmon përkushtimin e policisë së Kosovës që nuk dëshiron të ketë asnjë zyrtar policor që bie në kundërshtim me dispozitat ligjore”,- u shpreh zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
 
Gjatë këtij operacioni janë konfiskuar 6 armë prej të cilave dy armë zyrtare dhe pajisje tjera elektronike.  
 
GYLTENE SINANI