Maqedoni

1TV me pronar të ri? Blerësi nga Holanda, emri ende enigmë

16.10.2019 16:43

Edhe pse në Regjistrin Qendror ende nuk është ndryshuar pronësia e firmës e cila është pronare e televizionit 1TV...

Edhe pse në Regjistrin Qendror ende nuk është ndryshuar pronësia e firmës e cila është pronare e televizionit 1TV, duket se megjithatë ka filluar procedura e brendshme për ndërrimin e pronësisë.
 
Fillimisht në opinion emrin e Bogdan Damjanovskit, një pensionisti që vjen nga fusha e ndërtimtarisë pa ndonjë lidhje deri më sot me biznesin mediatik, e publikoi “Laboratori i reporterëve investigativë” (LRI), e kjo bëri që mediat të interesohen se kush është pensionisti 77 vjeçar që në DAP është paraqitur për të marrë përsipër borxhet dhe pronësinë e televizionit të drejtuar deri dje nga i akuzuari i parë në rastin “Zhvatja”, Borjan Jovanovski.
 
E borxhet e televizionit dhe të firmave që lidhen me të arrijnë në 30 milion denarë, apo 400 mijë euro sipas të dhënave zyrtare. Vetë Damjanovski për TV TELMA sqaron shkurt se është vetëm ndërmjetës i procedurës, e jo pronar i ardhshëm i 1TV.
 
Thotë se televizionin kërkon ta blejë një pensionist serb që gjatë kohë ka jetuar në Holandë e që është gati të japë 2 milion euro, por pa sqaruar emrin derisa të mos finalizohet procedura.
 
Për momentin është nënshkruar vetëm akti intern i marrjes së pronësisë. DAP tashmë ka paditur pronarin në hije të 1TV, Bojan Jovanovskin, edhe për evazion fiskal.
 
Ende nuk dihet ndërkohë nëse Agjencia për Media do të marrë ndonjë masë ndaj 1TV, për shkak të lëshimeve gjatë emetimit të programit.
 
Nga ASHAAV për REL sqarojnë se tashmë kanë dërguar kërkesë në MPB për t’i ndihmuar të marrin dokumentacionin e nevojshëm e më pas do të deklarohen. Drejtuesi i deritanishëm i 1TV mbetet në paraburgim. 
 
Ndaj Boki 13 ka edhe akuza të reja, që kur një javë më parë prokuroria zgjeroi hetimet për rastin “Zhvatja” edhe me organizatën “Lidhja Ndërkombëtare” të drejtuar nga Jovanovski, si dhe me nënpresidenten e “Lidhjes Ndërkombëtare”, Jasna Mandiq, pronarin zyrtar të 1 TV, Mile Jovanovskin, deputeten Frosina Remenski, si dhe Kristina Karavijanovën dhe Bojan Novakovskin. 
 
BESIM ABDULLAI