Maqedoni

Personat nga ndërmarrjet e falimentuara diskutojnë zgjidhjen ligjore për dëmshpërblim

16.10.2019 17:38

Deputetët shqyrtuan propozim ligjin e ri për sigurimin e dëmshpërblimit për rreth 1600 persona...

Deputetët shqyrtuan propozim ligjin e ri për sigurimin e dëmshpërblimit për  rreth 1600 persona që kanë punuar në ndërmarrje me pronësi shtetërore. Këta persona kanë aplikuar edhe më herët për të fituar të drejtën e dëmshpërblimit, por nuk e kanë fituar sepse nuk i plotësonin të gjitha kushtet. 
 
Me propozim-ligjin e ri mundësohet që materialisht të dëmshpërblehen personat të cilët me vendimet ligjore paraprake kanë qenë të moshës më të re se 52 vjeç për grua, përkatësisht 55 vjet për meshkuj, si dhe personat të cilëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës nga 1 janari i vitit 1993 deri më 30 qershor të vitit 2019. 
 
“Vendimet ligjore parashikojnë që personi të mos jetë i punësuar, marrëdhënia e punës t’i ketë ndërprerë në bazë të falimentimit, likuidimit apo tepricës teknologjike, në ndërmarrje me pronësi dominante të shtetit, me kusht që i njëjti të jetë i themeluar përderisa ndërmarrja ka qenë me pronësi të shtetit dhe gjatë privatizimit të mos jetë ndryshuar numri amë i subjektit. Përskaj asaj, parashikohej, pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës në bazë të falimentimit, likuidimit apo tepricës teknologjike, personi i papunë të ketë fituar të drejtë për dëmshpërblim me para pas 1 janarit të vitit 1995. Me ndryshimet e parapara ligjore dhe në përputhje me analizat e bëra me ligjin e ri, të drejtën për dëmshpërblim material do të fitojnë më së paku 1000 persona”,- tha zëvendësministri i PPS-së, Gonyl Bajraktar.
 
Deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkuan që të zgjatet afati i aplikimit, i cili me propozimin është 30 ditë, në mënyrë që, siç thanë ata, të mundet të gjithë të paraqesin aplikime.
 
“Mendoj që periudha është e shkurtër, edhe përskaj asaj që kemi njohuri se këta persona veç më kanë aplikuar në Agjencinë e Punësimit dhe ashtu ka ardhur deri te numri prej rreth 1000 persona të cilët tani do të jenë të përfshirë me këtë ligj. Për arsye se nuk do të marrin vesh me kohë të gjithë ata persona të cilëve iu takon dëmshpërblimi”,- u shpreh Vesna Pejmova nga VMRO DPMNE.
 
BDI kërkon që qeveria të gjejë zgjidhje edhe për qytetarët të cilët nuk mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, për shkak se edhe pse kanë punuar në ndërmarrjet e falimentuara, nuk u janë paguar kontributet. LSDM thotë se këto raste duhet të shqyrtohen e të zgjidhen ndaras. 
 
“Si rezultat i tranzicionit, ka edhe një kategori e të punësuarve të cilët nuk udhëheqin asnjë punëtor të falimentuar, as si punëtorë të likuiduar, apo si tepricë teknologjike. Dhe nuk është një numër i vogël, ndoshta në Kumanovë është më i madh në krahasim me qytetet tjera, por informata kam se edhe nëpër vende tjera kanë këso lloj problemi. Të gjejmë modalitetin që edhe këta persona t’i fusim në ligj”,- tha Rexhail Ismaili nga BDI.
 
“Vlerësoj se hapat tona të ardhshëm duhet të jenë që t’i shqyrtojmë veçmas ato kërkesa dhe nuk do të mundem të them që ato të përfshihen në këtë ligj, por ndoshta mundet të qasemi me ligje të caktuara për punëtorë të falimentuar që kanë të bëjnë me raste të tilla specifike”,- u shpreh Zhaklina Llazarevska nga LSDM.
 
Gjatë seancës, zëvendësministri Bajraktar tha se me dy vendimet ligjore paraprake, të drejtë për dëmshpërblim kanë fituar rreth 10.000 qytetarë. Kurse me vendimin ligjor të sjellë gjatë kohës së qeverisë paraprake, të drejtë të tillë kanë fituar 4700 qytetarë. 
 
ERSAN PARAZITI