Maqedoni
Delikuenca tek fëmijët, jo shumë e pranishme brenda shkollave në Tetovë. Duhanpirja tek të miturit, prindërit nuk i kontrollojnë sa duhet fëmijët
16.10.2019 18:21
Droga, delikuenca e të miturve dhe prishja e rendit dhe qetësisë publike janë të pranishme...

Droga, delikuenca e të miturve dhe prishja e rendit dhe qetësisë publike janë të pranishme, por zakonisht në rrugë e jo edhe aq shpesh brenda hapësirave shkollore, thonë përfaqësues të sektorit për punë të brendshme në Tetovë, psikologët dhe vetë mësuesit, të cilët diskutuan sot rreth këtyre dukurive.
“Brenda oborrit të shkollave dhe në orët e mësimit nuk ka pasur të regjistruar raste të atilla, mirëpo jashtë orarit mësimor, pra rreth shkollës janë regjistruar disa raste të veçanta”,- u shpreh zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.
“Sipas të dhënave që i kemi nga Ministria e Brendshme, nuk kemi përdorues apo shpërndarës në objektet shkollore, apo përreth shkollave, nuk kemi edhe prishje të rendit publik, në krahasim me vitin që kanë qenë në vitin 2013 që kishim 36 prishje të rendit publik apo vitin e kaluar që përfunduan me 4 prishje të rendit publik”,- u shpreh sektori i arsimit - komuna e Tetovës, Ahmed Qazimi.
Por, përderisa droga është larg shkollave, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për duhanin. Mësimdhënësit alarmojnë se gjithnjë e më shumë fëmijë janë duhanpirës që në moshë të re.
“Duhani pihet dhe është i pranishëm thuajse në shumë shkolla, duke filluar edhe nga cikli i ulët, mirëpo këtu është problemi i madh edhe nga ana e prindërve, pasi edhe ato nuk mund t’i kontrollojnë, i lëshojnë në mësime dhe i lënë në mëshirë të fatit, të rrugës, nxënësit vinë në shkollë dhe ato fare nuk i kontrollojnë a vinë në mësim apo ku janë”,- u shpreh drejtoresha SH. K. F. “Kirili Dhe Metodi”, Sihana Kasa.
Në Tetovë viteve të kaluara incidentet mes nxënësve ishin “në modë” dhe regjistroheshin nga 30 raste brenda një viti shkollor. Sipas institucioneve kompetente kohëve të fundit është ulur numri i incidenteve të këtilla.
VISAR SADIKI
