Çarshia e vjetër mbledh miq të rinj
Komuna e Çairit, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-perendimore dhe Odën Maqedono-Bullgare, më 20 shtator do ta organizojnë manifestimin “Çarshia dhe miqtë”.......

Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, thekson se manifestimi organizohet me pretendimin që kjo ide të zgjerohet edhe në qytetet tjera të vendeve të rajonit, përkatësisht të promovohen çarshitë, me qëllim që në të ardhmen të krijohet një lidhje e çarshive të Ballkanit.
“E fillojmë këtu pasi që Çarshia e Shkupit është çarshia më e madhe në Ballkan, ka peshën edhe historike edhe kulturore. Por, njëkohësisht është e rëndësishme edhe për bizneset, sidomos për bizneset e vogla dhe familjare, pra siguron ekzistencën për një numër të madh të qytetarëve të Çairit dhe Shkupit. Andaj, pas projekteve të infrastrukturës, siç është sheshi “Skenderbe”, ndriçimi i çarshisë, rregullimi i kalldrëmit, rregullimi i parkingut që po ashtu do të lidhet me sheshin “Skenderbe”, mundohemi që edhe aktivitetet kulturore t’i përqendrojmë në Shkupin e vjetër, në Çarshinë e Vjetër”- deklaroi kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.
Manifestimi “Çarshia dhe miqtë”, shihet si mjaft i rëndësishëm edhe nga odat ekonomike.
“Kjo nismë është paramenduar ashtu që secili të flasë në çarshi në gjuhën amtare, ndërsa të gjithë ne të kuptohemi bashkërisht nëpërmjet kulturës. Këtë ide do ta prezantojmë para autoriteteve evropiane, sepse dëshirojmë që përsëri zanatet e çarshisë të jenë pjesë përbërëse e ofertës turistike”- tha Zore Temellkovski nga Oda Ekonomike Maqedono-Bullgare.
“Përveç promovimit kulturor, ka për qëllim edhe promovimin e vlerave ekonomike, njëkohësisht ngritjen e peshës së rëndësisë për biznes-bërje në çarshi dhe njëkohësisht të bëjë të mundur çarshia t’i kthehet asaj kulture të vjetër të realizimit të tregtisë”- u shpreh Arben Halili nga OEVMP.
Në këtë manifestim janë ftuar të marrin pjesë kryetarë komunash nga vendi, Shqipëria, Kosova dhe Bullgaria, përfaqësues të qeverisë, diplomatë dhe afaristë nga rajoni. (Gyltene Sinani, TVM2)
