Kulturë

Festivali Ndërkombëtar Poetik “Ditët e Naimit” sjell 35 poetë në Tetovë

17.10.2019 13:02

Prej sonte fillon Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”...

Manifestimi do të realizohet në disa qytete, në Tetovë sonte në orën 19:30 mbahet ora e madhe poetike, ndërsa nata finale do të mbahet në Korçë, pas të cilës, edhe do të bëhet ndarja e çmimeve për poetët më të mirë.

Në këtë edicion të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, marrin pjesë 35 poetë nga vendi dhe bota. Në ditën e dytë të festivalit do mbahet ora letrare “Poetë dhe vargje” në Teqenë “Arabati Baba” në Tetovë, më pas poetët do të vizitojnë edhe monumentet historike kulturore në Tetovë.

Në ditën e tretë të festivalit, poetët do të nisen për në qytetin e Korçës, duke vizituar kështu Strugën dhe Pogradecin, ndërsa në mbrëmje do të mbahet nata finale e festivalit.

Në kuadër të festivalit, sivjet pritet të botohen edhe dhjetë tituj të rinj të librave me poezi, mes të cilave edhe një antologji e poezisë moderne maqedonase, që për herë të parë ndodh në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.