Botë

Kosovë, mbi 500 vendvotime pritet të shkojnë në rinumërim

17.10.2019 13:38

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, pritet të vendosë sot për kërkesën e Qendrës për Numërim dhe Rezultate për rinumërim të vendvotimeve të tjera...

QNR do të kërkojë rinumërim të mbi 500 vendvotimeve, për çka pritet edhe miratimi nga ana e anëtarëve të KQZ-së. Të hënën ka përfunduar rinumërimi i 314 vendvotimeve.

Vendimi i KQZ-së për rinumërimin e këtyre 314 vendvotimeve erdhi po pas rekomandimeve të Qendrës së Numërimeve dhe Rezultateve, pas gjetjeve të cilat janë bërë në këtë qendër gjatë pranimit të materialit nga këto vendvotime.

Ka përfunduar ndërkohë numërimi i 13.241 votave të ardhura me postë.

Nga rezultatet e numërimit, Lëvizja Vetëvendosje është duke prirë me 7.030 vota, LDK 2.158, PDK 2.138, koalicioni AAK-PSD 555 dhe Nisma-AKR-PD ka 916 vota.