Botë

Zgjedhjet në Kosovë, nuk ka rezultat final. KQZ: rinumërohen votat në 530 vendvotime

17.10.2019 17:34

Kosova dhjetë ditë pas zgjedhjeve parlamentare ende nuk ka rezultate përfundimtare...

Kosova dhjetë ditë pas zgjedhjeve parlamentare ende nuk ka rezultate përfundimtare, pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka vendosur edhe rinumërimin e 530 vendvotimeve të tjera me kërkesë të zyrtarëve të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.
 
Sot në KQZ është vendosur që për shkak të manipulimeve të ndryshme nga komisionerë të subjekteve politike e në bazë të të dhënave, të auditimit të publikuar nga QNR-ja, në 530 vendvotime të rinumërohen votat.
 
Ky vendim u mor sot në një konferencë për media të drejtuar nga Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së, e cila ka ftuar organet e sigurisë që të jenë të pranishme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
 
“Askush nuk i ndalon Prokurorinë dhe Policinë që të jenë të pranishme në QNR. Lirisht mund të qëndrojnë aty dhe t’i marrin provat me emra dhe numra të vendvotimeve ku kanë ndodhur manipulime”,- tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
 
Vendimi i KQZ-së pason rinumërimi e 314 vendvotimeve, i cili erdhi pas rekomandimeve të QNR-së. Ndërkohë, ka përfunduar edhe numërimi i votave me postë.
 
Nga 13 241 votat e vlefshme të ardhura me postë nga diaspora prin Lëvizja Vetëvendosje me 7030 vota, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka marrë nga diaspora 2.158 vota, PDK-ja u radhit e treta me 2.139 vota, koalicioni Nisma-AKR-PD 916, ndërsa AAK-PSD 555 vota.
 
Ndërkohë, ditëve në vazhdim pritet të nis edhe numërimi i votave me kusht. Derisa për votat e ardhura nga Serbia KQZ-ja ende është duke pritur rezultatet e analizave, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se tashmë janë dërguar jashtë Kosovës mostrat e zarfeve për analiza laboratorike dhe janë në pritje të tyre. 
 
LEUNORA KALIQI