Maqedoni

Ngërçi politik në “Status QUO”

17.09.2014 16:39

Tre muaj nga seanca për konstatimin e dorëheqjeve të deputetëve nga opozita, kreu i VMRO-DPMNE-së dhe ai i LSDM-së assesi të bien dakord për tejkalimin e ngërçit politik...

Opozita këmbëngul në kërkesat e saj, ndërsa VMRO as që ka hapur debat për kërkesat e opozitës së kryesuar nga LSDM. 
 
Në ndërkohë, Kuvendi vazhdon punën në mungesë të opozitës. Kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, që në korrik paralajmëroi se seanca për konstatimin e dorëheqjeve e hapur në qershor do të mbahet në tetor, nëse deri atëherë nuk arrihet kompromis mes  krerëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. 
 
Ende mbetet mister përse kryeparlamentari mori një vendim të tillë kur vetë procesi i ezaurimit të listave të kandidatëve për deputetë, konform ligjit, merr mjaft kohë. Ekspertët juridik thonë se zgjidhja ligjore ekziston, por çështja është më shumë e karakterit politik.
 
“Së pari duhet të konsumohet lista që është obligim institucional me kushtetutë dhe me ligj i institucioneve kompetente, në radhë të parë të kryetarit të parlamentit dhe KQZ-së, të konsumohet lista për ofrimin e mandateve të deputetëve, pastaj hapet çështja politike se çka do të bëhet. A do të shkohet në zgjedhje vetëm për plotësimin e vendeve të zbrazëta të parlamentit, apo do të shkohet në zgjedhje të përgjithshme parlamentare, sepse kjo në fakt ka ardhur si rezultat i problemit politik të cilin e kemi në Maqedoni, prandaj do të shohim nëse do të shkojmë në zgjidhje politike apo ndonjë zgjidhje tjetër”- deklaroi profesori universitar, Mersin Maksuti.
 
Megjithatë, kryeparlamentari. Trajko Veljanovski. shpreson që opozita të kthehen në shtator, që kthimi i tyre të përfshihet në raportin e progresit të KE-së për Maqedoninë.
 
Nëse opozita nuk merr vendim për t’u kthyer në Kuvend si e tërë, Veljanovski pret që gjatë kësaj periudhe të paktën 7-8 deputetë opozitarë të ndërrojnë mendje dhe ashtu si tre deputetet e opozitës që nuk respektuan vendimet partiake, të pranojnë mandatin.
 
SHPËTIM NUREDINI