Botë
Po apo jo çelja e negociatave, Hahn i kërkon Shqipërisë të vazhdojë me reforma
17.10.2019 18:14
Teksa kanë mbetur vetëm disa orë deri në vendimin për çeljen ose jo të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian...

Teksa kanë mbetur vetëm disa orë deri në vendimin për çeljen ose jo të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, eurokomisioneri, Johanes Hahn, i kërkon Shqipërisë që pavarësisht vendimmarrjes, të mos e ndërpresë rrugën e reformave.
Megjithatë, Hahn ka thënë pas takimit në Bruksel me kryeministrin, Edi Rama, se Shqipëria i ka përmbushur detyrat.
“Do doja vetëm të inkurajoja qeverinë të vazhdojë me reformat që po zhvillon, sepse është në interes të qytetarëve shqiptarë. Nuk bëhet për të na kënaqur ne. Për sa i përket Komisionit Europian, ne jemi jashtëzakonisht të përkushtuar që të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta, për të përmirësuar kushtet e jetesës në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri”,- deklaroi komisioneri per zgjerim, Johahnes Hahn.
Ndërkaq, kryeministri, Edi Rama, i tregoi opozitës shqiptare se në rast dështimi, përgjegjësia nuk është e qeverisë së drejtuar prej tij.
Kryeministri garantoi se reformat e qeverisë do të vazhdojnë për të pasur një Shqipëri europiane, pavarësisht qasjeve të Brukselit, Londrës, Parisit apo Berlinit.
Vendimi i pritshëm i Brukselit për Shqipërinë ka shkaktuar debate edhe në parlament.
Deputetë të mazhorancës thanë se janë plotësuar të gjitha detyrat, por deputetët e opozitës parlamentare thanë se në rast dështimi, faji është tërësisht i qeverisë.
LULJETA NDOKA
