Maqedoni

Partitë politike në pritje të vendimit

17.10.2019 18:57

Në pritje të vendimit të krerëve të vendeve anëtare për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE...

Në pritje të vendimit të krerëve të vendeve anëtare për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, partitë politike me pritje dhe interpretime të ndryshme.
 
Sipas VMRO-DPMNE-së në opozitë, përveç vendimit për hapjen e bisedimeve, çdo gjë tjetër është dështim i pushtetit dhe LSDM-së. 
 
“Është më se e qartë se Zaevi  është në gjendje të thotë dhe premtojë çmos, vetëm që të realizojë gjënë e vetme që i ka mbetur, pa qenë i vetëdijshëm se çdo gjë përveç vendimit të pastër dhe pa kushte për hapjen e bisedimeve është një katastrofë për dhe fiasko për të dhe LSDM-në”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. Partia e Mickovskit kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. 
 
“VMRO-DPMNE është e vetmja që është kundër BE-së dhe NATO-s, kundër të ardhmes së sigurt dhe stabile të shtetit. VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickovski, jo që bëjnë tifo që vendi të mos marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në, por punon kundër avancimit, kundër reformave”,- u kundërpërgjigj LSDM. Sipas partisë së Zaevit, asnjë përpjekje e opozitës nuk do ta rrezikojë të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.
 
Edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, konsideron se vendi duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse BE-ja nuk jep datë për të nisur negociatat. 
 
Në një intervistë për TV21, Sela tha se nëse BE-ja sjell vendim negativ, atëherë duhet të formohet qeveri teknike, sipas Marrëveshjes së Përzhinës, dhe në pranverë të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
 
Qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami. Ai po ashtu tha se nëse BE sjell vendim negativ, duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare. 
 
Ndërkaq, Alternativa e Gashit konsideron se përcaktimi i datës për fillimin e negociatave është moment kyç, për shtetin tonë dhe tregues i rëndësishëm jo vetëm për procesin e integrimit të vendit në BE, por edhe mirënjohje për të gjitha reformat.
 
SHPËTIM NUREDINI