Maqedoni
Ekspertët: Kufizimi i borxhit publik dëmton zhvillimin ekonomik
17.09.2014 16:44
Veç më ka filluar procedura e kufizimeve kushtetuese të shpenzimeve publike dhe nëse e njëjta realizohet me siguri do të ketë pasoja...

Kështu vlerëson profesori universitar, Abdylmenaf Bexheti, sipas të cilit pasojat ekonomike kanë të bëjnë me situatat e panjohura paraprakisht, që mund t’i dëmtojnë ciklet e biznesit në aspektin e zhvillimit ekonomik.
Kjo gjendje, sipas tij, do të jetë në dëm edhe të disa kërkesave për avancimin e pozitës së shqiptarëve në shoqëri.
“Posaçërisht për shqiptarët është me rëndësi ajo referencë ose arsyetim shumë i qëndrueshëm fatkeqësisht juridiko-kushtetues, në të cilin ne nuk mund t’i përmendim disa kërkesa të avancimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni”- deklaroi profesori universitar, Abdylmenaf Bexheti.
Parashihet të ndryshojë tërësisht edhe metodologjia e përllogaritjes së huas publike. Në nivelin aktual të huas publike, bën pjesë huaja publike e Pushtetit Qendror, por jo edhe të pushteteve tjera.
“Parashihet që me eurobonet e thesarit që u emituan dhe shitën para 2 muajsh, borxhi publik të ngrihet në shkallë rreth 50 % të prodhimit bruto të brendshëm, por vetëm i Qeverisë Qendrore dhe nëse këtu shtohen edhe pjesë të borxheve tjera, agjencioneve, fondeve, sigurisht se do të jetë më i lartë dhe nëse duhet ta limitojmë pse 2017, çfarë përllogaritje është bërë që të vlejë 2 vite e gjysmë prej këtij momenti"- tha Bexheti.
Sipas Bexhetit, nuk ka nevojë që përmes kushtetutës të caktohet niveli i huas, duhet të ketë një ligj të strukturuar, ku do të ketë kontroll parlamentar.
Komisioni fiskal është, sipas tij, zgjidhje adekuate që shumë shtete e praktikojnë, ai do të bënte kontrollin e huamarrjeve dhe të ashtuquajturave rregulla të arta të huamarrjes.
FLUTURA LATIFI
