Maqedoni

Bojkoti i mësimit në Bërnjancë, prindërit ftojnë ministrin Ademi për vizitë. Ministri Ademi pranoi ftesën për vizitë: Transporti është nën ingerencë të komunave. Komuna e Gazi Babës: Kërkesa zyrtare po shqyrtohet

18.10.2019 15:16

Nxënësit e fshatit Bërnjancë të komunës së Gazi Babës vazhdojnë me bojkotin...

Nxënësit e fshatit Bërnjancë të komunës së Gazi Babës vazhdojnë me bojkotin, ndërsa prindërit me fëmijët e tyre protestojnë para Shkollës “Gjergj Kastriti Skënderbeu”.
 
Nxënësit të cilët tani më tre javë janë jashtë bankave shkollore edhe një herë para objektivit të kamerës sonë potencuan kërkesën që t’u sigurohet një furgon i cili do t’i transportonte deri në shkollë, sepse duhet të udhëtojnë më shumë se 2 km për të arritur në Shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Haraçinë.  
 
“Ne po rrimë te objekti i shkollës, po presim furgon, duam të mësojmë”,- tha nxënës. 
 
“Na mungon mësimi, shokët, shoqet, leximi, ne kërkojmë vetëm një furgon”,- theksoi nxënës.   
 
Ditë më parë, banorët dorëzuan kërkesë me shkrim deri te komuna e Gazi Babës për sigurimin e transportit dhe po ashtu kërkuan edhe takim me kreun e Komunës. Por, deri më tani banorët thonë se nuk kanë marrë përgjigje për takimin e kërkuar. Në përgjigjen me shkrim të komunës së Gazi Babës për TVM 2 konfirmojnë se kanë marrë kërkesë me shkrim dhe e njëjta do të shqyrtohet. 
 
“Deri te komuna e Gazi Babës para disa ditësh arriti kërkesa zyrtare për transport të fëmijëve nga Bërnjanca, e cila po shqyrtohet dhe kur të ketë zgjidhje zyrtare komuna do ta informojë opinionin”. 
 
Ndërkohë, kryetari i Këshillit të prindërve, Ekrem Saliu, fton edhe ministrin e Arsimit, Arbër Ademi, që të vizitojë banorët e Bërnjancës për t’u njoftuar me problemin.                 
            
“Ftojmë Ministrin e Arsimit të vijë të na vizitojë,ti qajmë hallet e përbashkëta është i mirëseardhur shpresoj se do na ndihmojë me mundësitë e vet ligjore”,- tha kryetari i Këshillit të Prindërve. Ekrem Saliu.
 
E menjëhershme ishte përgjigja e ministrit të Arsimit, Arbër Ademi, i cili shprehet i gatshëm të takojë banorët dhe të gjejnë zgjidhje, edhe pse transporti i fëmijëve është nën kompetencë të komunave.     
                            
“Komunat në kuadër të detyrave që i kanë duhet të organizojnë transportin e fëmijëve, megjithatë nuk hezitoj të takohem dhe të jap kontributin tim edhe përtej kompetencave të mia që të gjendet zgjidhje sa i përket interesit të fëmijëve”,- u shpreh ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
Përderisa ky problem të gjejë zgjidhje, Këshilli i Prindërve është i vendosur të vazhdojë bojkotin, ndërsa nuk e përjashtojnë mundësinë edhe për bllokimin e rrugëve nëse kërkesa e tyre nuk shqyrtohet.
 
FLUTURA LATIFI