Maqedoni

Osmani: Padrejtësi. Unioni nuk e mbajti fjalën

18.10.2019 18:10

Nënkryetari i Qeverisë, Bujar Osmani, i ka paraprirë qëndrimit zyrtar të Qeverisë rreth vendimit të Këshillit Evropian...

Nënkryetari i Qeverisë, Bujar Osmani, i ka paraprirë qëndrimit zyrtar të Qeverisë rreth vendimit të Këshillit Evropian që të pezullojë marrjen e vendimit për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për shkak të refuzimit të Francës.
 
Në një postim në rrjetin social në facebook, Osmani thotë se vendi kishte plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e negociatave dhe këtë e kanë konfirmuar 27 nga gjithsej 28 vende anëtare. 
 
“Sot edhe 27 vende anëtare të cilave u jemi shumë falënderues, kërkuan qartë pa hamendje që Republika e Maqedonisë së Veriut të marrë impuls të ri në integrimet evropiane për të vazhduar në rrugën e reformave. Mirëpo një vend, kërkesa kyçe e të cilës ishte të shmanget principi i konsensusit gjatë vendosjes, sot ka shfrytëzuar këtë të drejt që mos të lejojë vendimin e rrumbulluar për fillimin e negociatave.”- thotë Osmani. 
 
Sipas tij, pezullimi i vendimit ka dëmtuar kredibilitetin evropian jo vetëm në vend, por në tërë rajonin, pasi, siç thotë, Unioni nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. 
 
“Por, kjo nuk duhet të na largojë nga vlerat evropiane. Ne jemi pjesë e Evropës dhe padrejtësia e sotme nuk guxon të na largojë nga përpjekjet tona për të vazhduar me implementimin e reformave, të vazhdojmë me ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të vazhdojmë të mirëmbajmë bashkëjetesën dhe shoqërinë multikulturore. Thjeshtë, të vazhdojmë në ndërtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Evropiane”,- shkruan nënkryetari i Qeverisë, nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani. 
 
SHPËTIM NUREDINI