Maqedoni
Mosmarrja e datës, Mickovski: Zaev të dorëhiqet, zgjedhje të parakohshme. Do të përpilojmë strategji veprimi
18.10.2019 18:42
VMRO-DPMNE ka kërkuar dorëheqje të kryeministrit, Zoran Zaev, dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare...

VMRO-DPMNE ka kërkuar dorëheqje të kryeministrit, Zoran Zaev, dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas dështimit të marrjes së datës për nisje të bisedimeve për anëtarësim në BE.
Kryetari i partisë, Hristijan Mickovski, tha se dështimi është rezultat i politikave të gabuara dhe korruptive të kryeministrit Zaev.
“Ky është dështim i politikave të Zoran Zaevit dhe të këtij pushteti. Kjo është një politikë pa koncept, pa vizion, me shumë krim, korrupsion, vjedhje dhe keqpërdorime. Me arsye fitohet ndjesia tek qytetarët se kjo politikë na shpiu në një rreth të heqjes dorë dhe shumë lëshimeve që në fund e gjithë kjo të përfundojë pa sukses. Populli kërkon zgjedhje të parakohshme, njëjtë sikurse unë. Kjo është një zgjidhje logjike që të tejkalohet kriza dhe kjo situatë e padurueshme. Kushedi sa të kundërshtojë pushteti, zgjedhjet do të vijnë dhe me këtë vjen fundi politik i Zoran Zaevit”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Sipas Mickovskit, vendi tani ka nevojë për reforma rrënjësore. Ai paralajmëroi prezantimin e strategjisë së veprimit nga profesionistë në interes të shtetit. Sipas Mickovskit, prioritet i vendit vazhdon të mbetet orientimi europian.
“Unë nuk kam për qëllim që të hyj në lojën e gjetjes së fajtorit apo kush ka pasur të drejtë. S’na duhet as maskim i dështimit. Do të duhet të dalim më të fuqishëm dhe më të mençur nga çdo dështim. Maqedonia është shtet europian, ndërkaq Unioni Europian është synimi ynë i përbashkët. Edhe përkundër zhgënjimit të madh, porosisë se nuk ka kohë për të humbur dhe Maqedonia s’ka më luksin të humb asnjë ditë”,- tha Mickovski.
Sipas Mickovskit, marrja e datës së kristaltë për anëtarësim do të arrihet vetëm me luftimin e korrupsionit. Lideri i opozitës maqedonase shprehet i gatshëm që të marrë pjesë në takimin e së dielës të iniciuar nga presidenti Pendarovski.
MERAL ISMAILI
