Botë

VV dhe LDK, takim grupet e punës për qeverinë e re

18.10.2019 19:44

Grupet punuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje...

Grupet punuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, vazhdojnë koordinimin rreth qeverisë së re. Siç bëri të ditur pas takimit Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, në takimin e sotëm është bërë fjalë për temat më të rëndësishme që e presin qeverinë e re dhe reformat e thella, ndërsa nuk është bërë fjalë për ndarjen e posteve.
 
“Ne kemi shumë nevojë për reforma të thella në drejtësi, arsim, shëndetësi, në administratë, është folur më shumë për reforma sektoriale, nuk është folur për ministri dhe për ndarje të posteve të ndryshme. Kurrfarë kushtesh nuk ka pasur, takimi ka qenë në atmosferë shumë miqësore dhe në një bashkëpunim të shkëlqyer dhe mendoj se kjo është rruga e duhur për arritjen e qeverisjes së ardhshme”,- tha Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.
 
Konjufca po ashtu sqaroi se nuk është diskutuar rreth mundësisë së përfshirjes së NISMA-s në koalicionin qeveritar nëse ajo arrin ta kalojë pragun zgjedhor dhe të fitojë ulëse në kuvend.
 
GYLTENE SINANI