Ekonomi

Xheladini: Jemi vend me më pak borxh publik në rajon

17.09.2014 17:35

Maqedonia vazhdon të mbetet shtet me borxh publik mesatar dhe si shtet që ndër vendet e rajonit është në pozitë më të qëndrueshme ndaj borxhit publik...

Maqedonia vazhdon të mbetet shtet me borxh publik mesatar dhe si shtet që ndër vendet e rajonit është në pozitë më të qëndrueshme ndaj borxhit publik, duke bërë krahasimin me shtetet tjera të rajonit dhe anëtaret e Bashkimit Evropian. 
 
Zëvendësministri i Financave, Ardian Xheladini, deklaron se duke u bazuar në të dhënat e fundit të publikuara nga kjo ministri, borxhi i shtetit është 40.8% nga BPV dhe Maqedonia mbetet në vendet mesatarisht të ngarkuara me borxh publik, gjegjësisht në 10 vendet më pak të ngarkuara me borxh publik.
 
“Në këtë drejtim, më duhet të theksoj se Maqedonia qëndron mirë sa i përket borxhit publik kur bëjmë krahasim me vendet në rajon dhe më gjerë, ku kemi parasysh vende si Greqia, e cila ka nivel të vendit publik prej 180 për qind nga BPV, Italia 127 për qind, Irlanda 118 për qind, Spanja 100 për qind, Belgjika 98, Franca 92 për qind, e kështu me radhë. Këtu e kemi edhe Serbinë dhe Kroacinë, të cilat kanë mbi 65 për qind borxh publik nga BPV”- deklaroi zëvendësministri i Financave, Ardian Xheladini.
 
Xheladini, thotë se Maqedonia është njëra nga vendet më pak të ngarkuara me borxh publik në rajon dhe më gjerë. Sipas tij, borxhin publik Maqedonia vazhdimisht e ka shfrytëzuar për investime kapitale, praktikë që do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
 
“Ajo që është e rëndësishme në këtë drejtim është që Maqedonia ngarkohet me borxh me qëllim të realizimit të projekteve kapitale, të cilat gjenerojnë edhe një rritje ekonomike më të madhe për shtetin. Projektet kapitale të cilat realizohen, është realizimi i korridorit 10, pjesë të korridorit 8, në të ardhmen do të vijojë realizim i plotë edhe i korridorit 8, investimet në rikonstruimin dhe ndërtimin e shkollave në arsim të lartë, rikonstruimin e spitaleve, rrugëve, lokaleve, ujësjellësve, kanalizimeve e kështu me radhë”- tha Xheladini.
 
Lidhur me miratimin e fundi të ndryshimeve të Ligjit për Borxhin Publik të Shtetit, zëvendësministri Xheladini ka nënvizuar se ato janë bërë me qëllim të harmonizimit të metodologjisë për përllogaritjen e borxhit publik me metodologjinë, e cila përdoret për llogaritjen e borxhit publik edhe në vendet evropiane.
 
MEFAIL ISMAILI