Maqedoni
Strategji për të parandaluar largimin e qytetarëve drejt BE-së
17.09.2014 17:37
Gjendja e vështirë socio-ekonomike, si dhe ngecja në zhvillimin e tyre demokratik në vendet e Ballkanit Perëndimor, po detyron një kategori të qytetarëve të kërkojnë rrugëdalje jashtë shtetit të tyre...

Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave ekonomike dhe politike. Destinacione më të kërkuara janë vendet e BE-së dhe veçanërisht Gjermania dhe Belgjika.
Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2014, rreth 4600 qytetarë nga Maqedonia kanë kërkuar statusin e azilantit në Gjermani, njoftojnë nga Zyra e Federatës Gjermane për Emigrim dhe Refugjatë.
Ekspertët thonë se masat që ndërmarrin vendet e rajonit duhet të reflektojnë me perspektiva të reja, duke i shndërruar vendet e tyre në destinacione me standard të përafërt me ato të BE-së.
“Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë probleme të natyrës politike, ekonomike dhe natyrave tjera, kanë çështje të hapura dhe shumë njerëz të rinj të cilët kryejnë një fakultet apo kanë hyrë në moshën mbi 18 vjet mendojnë dhe shpresojnë që të gjejnë të ardhmen e tyre në vendet e BE-së, duke e parë që në vendet e tyre nuk ka perspektivë, duke e parë që në vendet e tyre ka shumë probleme të hapura, duke parë që në vendet e tyre nuk ka zhvillim demokratik, zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të lira të punës për të rinjtë. Kjo ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e azilkërkuesve në BE”- deklaroi profesori universitar, Ylber Sela.
“Rritja e numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe RM-në, flet që situata ekonomike përgjithësisht pa shmangur edhe përkeqësimin e gjendjes politike në vend, bën që njerëzit, respektivisht pjesa më produktive dhe më vitale e shoqërisë të kërkojë zgjidhje dhe kushte më të mira jetësore jashtë Maqedonisë. Kjo do të thotë që të gjitha masat të cilat qeveria pretendon se i ndërmerr për përmirësimin e rrjedhës ekonomike, respektivisht për zhvillimin e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe atë familjarë, nuk po i arrijnë qëllimet e veta”- tha ekonomisti, Arben Halimi.
Vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë, kanë ndërmarrë një sërë masash për të parandaluar azilkërkuesit, veprim i të cilëve mund të dëmtojë liberalizimin e vizave, megjithatë shifrat sërish flasin për rritje të numrit të azilkërkuesve.
Në tre vitet e fundit, Ministria e Brendshme nëpër vendkalimet kufitare ka ndaluar 18.124 qytetarë, si azilkërkues potencial për në vendet e BE-së. Por, kjo nuk varet vetëm nga masat e vendit, por edhe nga korniza ligjore e vendeve ku qytetarët kërkojnë azil, thonë në MPB.
“E gjithë kjo dukuri në vete ngërthen më shumë aspekte. Aspekti i parë, i cili ndoshta është edhe më i rëndësishëm, është vendi se ku kërkohet azil dhe korniza e tyre ligjore. Kjo dukuri me të ashtuquajturit “azilant të rrejshëm”, është në rënie të dukshme pikërisht në ato vende të cilat e kanë ndërruar kornizën e tyre ligjore. Të gjitha vendet të cilat kanë ndërmarrë masa më të ashpra, të cilat kanë aplikuar procedura të shkurtuara, për t’ju përgjigjur pikërisht kërkesave të pabazë për azil, praktikisht kanë eliminuar të ashtuquajturin fluks të azilkërkuesve të rrejshëm”- u shpreh ndihmësministri në MPB, Ivo Kotevski.
Ndërkaq, shteti gjerman ka nisur t’i shtrëngojë procedura për azilkërkimet e shtetasve nga Maqedonia, Shqipëria, Serbia dhe Bosnja. Autoritetet po bëjnë përpjekje më shumë për të rehabilituar personat që vijnë nga vendet e prekura nga luftërat. Ndërsa sa u përket vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, lider për këtë vit mbetet Serbia. Të tretët pas Maqedonisë janë boshnjakët, pason Kosova dhe Mali i Zi.
Ndryshe, nga gjithsej 4.589 aplikime nga Maqedonia, sipas zyrës gjermane, azil kanë fituar vetëm 0,3 për qind e tyre.
NAIM RAMADANI
