Ekonomi

Saliu: Të parandalohet ikja e fuqisë punëtore

20.10.2019 14:30

Raporti i fundit i Bankës Botëroe vuri në pah se problemet kryesore të Maqedonisë së Veriut janë migrimi masiv si dhe vjetërsimi i fuqisë puntore....

Nga ky institucion paralajmërojnë se duhen të ndërmeren masa për të parandaluar ikjen e fuqisë punëtore nga vendi  pasi do të rrezikojë  gjithë ekonominë, tregun e punës, fondin pensional dhe at shëndetësor. Publicisti Iljasa Salihu thotë se qytetarët po ikin për një jetë më të mirë, ndërsa vendit i mbetet që të detektojë faktorët e ikjes dhe të punojnë për parandalim e saj.
 
"Në vendin tonë po ik njeriu i pa punë për një punë në mërgim, por po ik edhe njeriu i punësuar për një rrogë më të mirë. Që të dy po ikin për një jetë më të mirë, një jetë më të drejtë dhe të sigurtë. Shoqëria civile, qytetarët dhe qeveria duhet të ndërmarin aktivitete për ta detektuar faktorin e ikjes", tha Iljasa Saliu, publicist.
 
Iseni: Të motivohet kthimi i diasporës
 
Sipas BB edhe te ardhurat qe vijne nga jashte nuk kanë shënuar ndonjë rritje të madhe duke e krahasuar atë me numrin e personave të cilët kanë ikur bazuar në faktin se një numër i madh  po ikin me familjet e tyre dhe të ardhurat i harxhojnë në vendin ku jetojnë.  Drilon Iseni  nga OEMVP vlerson se gjeneratat e reja që kanë ikur në diasporë kanë ndryshuar sistemin e jetës ndërsa qeveria duhet të punojë për të kthyer diasporën në vend.
 
"Kjo është një pasqyrim i një realiteti të ri pasi gjeneratat e reja që janë në diasporë kanë ndryshuar sistemin e jetës edhe ajo mbase fenonem shoqëror dhe pjesën më të madhe të mjeteve që e sigurojnë nuk mund ta kthejnë në vendlindje.Qeveria duhet të bëjë cmos që të motivojë kthimin e diasporës në vend, për të investuar në kapacitet e ndryshme industriale", tha Drilon Iseni nga OEMVP.
 
Të dhënat e BB tregojnë se numri i personave të cilët janë shpërngulur nga Maqedonia e Veriut arrin deri në gjysmë milion qytetarë ose një e katërta e popullsisë, ku shumica jane të aftë për punë, një pjese e tyre kane edhe kualifikim të lartë  në  sektorin e IT.
 
GAZMEND KURTISHI